Lajme

MPJ e Suedisë flet për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

12/06/2023 15:22
nga:Genita C

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e tre personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murseli, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj dhe Kushtrim Kokalla, i dyshuar për pjesëmarrje në rast.

Lidhur me ngjarjen që tronditi vendin, Portali Dukagjini, ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Jashtme suedeze se a ka pasur kontakte mes autoriteteve suedeze dhe atyre kosovare lidhur me hetimet rreth vrasjes së Liridona Ademajt dhe dyshimet për përfshirjen e bashkëshortit të saj.

Nga ky dikaster kanë konfirmuar se po trajtojnë një rast konsullor ku përfshihen nënshtetasit suedezë në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme është në dijeni se një grua rreth të 30-ave ka vdekur në Kosovë më 29 nëntor. Të afërmit e saj janë njoftuar. Të gjitha pyetjet në lidhje me çdo hetim policor ia drejtojmë Autoritetit Policor Suedez ose policisë në vendin në fjalë. Ministria e Punëve të Jashtme në Suedi mund të konfirmojë se është duke trajtuar një rast konsullor që përfshin një familje suedeze në Kosovë. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm”, thonë nga MPJ e Suedisë për Portalin Dukagjini.