Lajme

“Qeveria Kurti vetëm sa i ka kontribuar këtij dështimi”, Halimi reagon pas rezultatit të dobët në PISA

12/05/2023 16:55
nga:N K

Kosova është renditur në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022, duke zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, që ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë. Lidhur me këtë ka reaguar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

Halimi thotë se Qeveria Kurti vetëm sa i ka kontribuar këtij dështimi duke mos nisur asnjë reformë domethënëse si dhe duke humbur shumë orë mësimi me grevat që mund të shmangeshin.

“Ky rezultat duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për institucionet, që të merren më seriozisht me këtë sektor përcaktues për të ardhmen e të rinjve dhe vet shtetit tonë”, shkruan zëdhënësja e LDK-së.

Reagimi i plotë:

Poshtë e më poshtë në PISA

Rezultatet më të fundit të Kosovës në testin PISA janë dëshprëruese! Në matematikë, shkencë e lexim, nxënësit tanë renditen në fund, në një rang me vende si Kamboxhia e Uzbekistani.

Shumë më mirë se ne qëndron madje edhe Ukraina që është gati që dy vite në luftë?!

Prandaj një vend që nuk e ka sistemin arsimor të etabluar, vështirë të prosperojë, ngase analfabetizmi funksional derivon shumë ngecje tjera shoqërore, si mungesë zhvillimi eknomik e inflacion galopant si dhe vetëdije e ultë për shtetin.

Për më tepër, Qeveria Kurti vetëm sa i ka kontribuar këtij dështimi duke mos nisur asnjë reformë domethënëse si dhe duke humbur shumë orë mësimi me grevat që mund të shmangeshin.

Ky rezultat duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për institucionet, që të merren më seriozisht me këtë sektor përcaktues për të ardhmen e të rinjve dhe vet shtetit tonë.