Në këtë fundjavë zhvillohet derbi i madh kosovar mes Gjilanit dhe Dritës.
Të dy skuadrat hyjnë në këtë takim pas fitoreve paraprake. Gjilani arriti ta mposht me rezultat bindës Lirinë, kurse Drita mposhti me rezultat 3-1 Feronikelin ’74.
Lojtari i Gjilanit, Oltion Bilalli ka folur për “GazetaBlic Sport” para këtij takimi duke thënë se skuadra e Gjilanit do të hyjë në këtë takim për fitore.
“Në ndeshjen e fundit treguam se çfarë ekipi ka Gjilani dhe çfarë mund të bëjë. Kemi pasur vështirësi në fillimin e sezonit, duke filluar përgatitjet për kampionat vetëm 4 ditë para ndeshjes së parë dhe transferet e reja janë bashkuar me ne pas fillimit të kampionatit. Me të gjitha këto probleme, mendoj se tani jemi përshtatur më mirë dhe po e njohim njëri-tjetrin më mirë ndeshje pas ndeshje. Sa i përket objektivave të klubit, Gjilani është një ekip i madh dhe gjithmonë luftojmë për të arritur maksimumin.
Besoj se të gjithë e dinë se ky është derbi më i madh në Kosovë dhe është një kënaqësi të luash në këtë derbi. Derbi luhet gjithmonë për të fituar. Ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë për derbin dhe jemi shumë të motivuar”, tha Bilalli për GazetaBlic Sport.


