Dëshmitarit Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij, iu është prezantuar një dokument që thuhet se është raport pune në Kleçkë i nënshkruar nga një person me emrin Agim Zogaj. Sipas asaj që u tha nga trupi gjykues, pretendohet se Zogaj ka qenë drejtor i burgut në Kleçkë, ku është mbajtur i ndaluar edhe Blerim Kuçi.
“Nuk ka pas objekt ndalim njerëzish apo që u quajt burg”, tha dëshmitari Halitjaha, duke shprehur habi pasi tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se nuk e di që kishte burg, dhe u shpreh i indinjuar që tani po e kupton këtë gjë.
“Për me qenë drejtor i burgut duhet me pas burg , për me qenë drejtor i burgut duhet me pas staf, gardianë, ata që e majnë burgun, gjykatë që i burgos njerëzit, nuk kanë ekzistu këto struktura. Ndoshta paska pas ai ndonjë ahër të lopëve të vetin a ndonjë bodrum ku i ka mshel njerëzit, unë nuk e di dhe se kuptoj. Unë jam shumë i indinjuar që tash po e kuptoj këtë”, tha Halitjaha.
Gjyqtari Guénawl Mettraux tha se sipas një dokumenti, në këtë objekt ndalimi, Blerim Kuçi ka shkuar më 27 janar 1999 në bazë të një vendimi të gjykatës.
Ai tha se në këtë dokument thuhet se një person është liruar nga “Çeliku”, për të cilin dëshmitari tha se ka qenë nofka e Fatmir Limajt.
Tutje, në këtë dokument sipas gjyqtarit thuhet se një person me emrin Milan Mitroviqi ishte ndaluar rreth 2 javë dhe është arrestuar apo është liruar nga Shtabi i Përgjithshëm, ku përmendej emri “Luli”.
“Nuk mund ta ngarkoj as Fatmir Limajn që e ka pas pseudonimin “Çeliku” e as Kadri Veselin që e ka pas pseudonimin “Luli”, se Luli ka pas edhe të tjerë. Unë po çuditem me këto mbajtje, mbyllje, mshelje…”, tha Halitjaha, duke theksuar që në Shtabin e Përgjithshëm i vetmi person që njifte me nofkën “Luli” ishte Veseli.
Në të njëjtin dokument, gjyqtari Mettraux referoi Halitjahën tek pjesa ku thuhej se një person me emrin Sami Duka ishte sjellë në burg më 22 prill 1999 dhe është liruar 27 prill 1999 nga ‘Dhjetëshi”, por se kush e ka pasur një nofkë të tillë, dëshmitari tha se nuk e di.
Dëshmitari Sadik Halitjaha në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshminë e tij do ta vazhdojë edhe nesër.
Ky dëshmitar, është marrë në pyetje nga trupi gjykues përmes gjyqtarëve Chritopher Barthe dhe Guenawl Mettraux.
Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari tha se kanë menduar që të ketë struktura në UÇK, duke përfshirë edhe burgje dhe gjykata si masa për t’i disiplinuar ushtarët, pasi që sipas tij kishte ndodhur një rast në Zonën e Nerodimës që një ushtar ishte vrarë gabimisht.
Ai tha se për të ndodhur një gjë e tillë, ishin dashur rreth 3 vite dhe një gjë e tillë nuk ndodhi. Kurse, mohoi kategorikisht të ketë pasur njohuri për ndonjë qendër ndalimi apo burg në Kleçkë.


