Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën “Preferencat gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”, ka folur rreth sistemit patriarkal në Kosovë, dhe se si ndikon ai në përzgjedhjen e lindjes së fëmijëve me preferenca gjinore.
“Pse konsiderohet disavantazh për një baba e të pasurit një fëmijë vajzë. Vendi ynë ka pasur tradicionalisht sistem shoqëror të bazuar në patriarkal. Format e tij edhe sot janë prezente dhe jo rrallë herë kthehen në konflikt shoqëror dhe padyshim edhe moral për të gjithë ne”, tha Vitia.
Për një gjë natyrisht jemi të gjithë të sigurt dhe besoj se të gjithë pajtohemi se një jetë e dominuar nuk është një jetë me dinjitet që i nevojitet njeriut. Ndikimi i formave dhe pasojave të patriarkatit mbi vendimmarrjen e ligjshmërisë, sidomos në preferencën e lindjes së vetëm djemve janë dëshmi e rubimentit që mbahet ende gjallë mes nesh. Sot një grua në vendin tonë mund t’i përdor lehtësisht të gjitha shërbimet për të dalluar gjininë e fëmijës gjatë shtatzënisë, por ky mjet i shkencës për të ndihmuar jetën dhe shëndetin e njeriut nuk mund të përdoret kundër vetë njeriut, gruas pra në këtë rast”, vazhdoi me tutje ministri.
“Është çnjerëzore detyrimi me çfarëdo forme në heqjen e gjinisë femërore, jo pse ka zgjedhur një grua të abortojë, por se partneri apo rrethi familjar është duke e përshkruar vajzën e ardhshme të dytë apo të tretë si një vështirësi apo si një disavantazh. Dhe natyrisht pavarësisht nga zgjedhja e dikujt aborti me përzgjedhje gjinore është një rast i qartë i diskriminimit me elemente edhe të dhunës fizike por edhe asaj psikologjike”, është shprehur Vitia.
Sa i përket abortit selektiv në Kosovë, ministri i shëndetësisë theksoi se ligji nuk e lejon një gjë të tillë.
“Sa i përket abortit në vendin tonë, fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të sakta, meqenëse aborti ende mbetet sfidë dhe shumë herë me të dhëna të nën raportuara, kurse për të dhëna për abortin selektiv nuk mund të flasim fare meqenëse ligji për ndërprerje e shtatzënisë ndalon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 10-të,ndërsa përzgjedhja e gjinisë me këtë ligj është e ndaluar”, ka thënë Vitia.
Ndërsa sa i përket numrit të aborteve të vitit 2022, ai tha se ka pasur diku 1070 aborte.
“Sipas të dhënave të vitit 2022 janë raportuar diku 1070 aborte, shifër kjo që mund të jetë shumë herë më e lartë”, ka deklaruar Vitia.