Lajme

Krimi që tmerroi rajonin: Prokurori zbulon të gjitha detajet për vrasjen e 14-vjeçares

12/04/2023 13:24
nga:Genita C

Prokurori maqedonas Gavril Bubevski tha sot se ka informacione se nëna e të vrarës Vanja G. së fundmi e ka shitur banesën e saj, që ka qenë edhe motivi i rrëmbimit të vajzës.

Ai në konferencën për media në Shkup ka thënë se babai i vajzës ka qenë në kontakt me të dyshuarin kryesor, i cili aktualisht është në arrati dhe i ka treguar për këtë, si dhe se kur do të largohej vajza nga shtëpia, raporton Plus info.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se ky është një krim i paprecedentë, një rast i izoluar, i kryer nga kriminelët monstruoz të cilët donin të përfitonin materialisht, të vetëdijshëm se nëna e kishte shitur banesën para pak kohësh.

“Rasti është zbardhur me sukses dhe plotësisht, janë siguruar provat dhe rrëfimet. Për personin që është në arrati bashkë me avokatin do të bëjmë çmos që ta nxjerrim para drejtësisë”, tha Spasovski.

Ai tha se zbardhja e atij rasti nuk ka sjellë rezultatin e dëshiruar sepse edhe vajza edhe 74-vjeçari i cili po ashtu është zhdukur janë gjetur të varrosur, një në afërsi të Shkupit dhe tjetri në afërsi të Velesit.

Ai shtoi se i vrari tjetër, një berber, nuk kishte lidhje me të miturën, por i kishte borxh njërit prej të dyshuarve.

Autori kryesor dhe organizatori është Ljupço Palevski, i frikësuar nga provat që mund të gjenden për krimin, tani është në arrati.

“Ne jemi duke ndjekur gjurmët e këtij përbindëshi dhe do të bëjmë gjithçka që sa më shpejt ta nxjerrim para drejtësisë”, tha ministri Spasovski.