Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se sot Liridona Ademaj varroset e zhvarroset, derisa do të duhej ta gëzonte jetën, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gratë në Kosovë çdo ditë vriten së pari në gjuhë që është mendësi patriarkale, pastaj mbi to rëndon dhuna psikologjike, e në fund vriten me armë, edhe nga vrasës me pagesë.
Ajo ka thënë se nesër rivarroset në vendin e familjes së saj, për të na e grithë shpirtin e ndalë kohën.
Halimi ka shtuar se asaj ia preu jetën mendësia e një shoqërie të mërguar larg në tradita mizore.
Postimi i saj i plotë:
Sot tre të dyshuarit për vrasjen e një gruaje të re dolën para gjykatës për t’u ballafaquar me veten e tyre të ligë.
Në kohën kur Liridona do të duhej ta gëzonte jetën, ajo varroset e zhvarroset, duke mos e fituar paqen as në amshim.
Kur një akt i tillë mizor na trand të gjithëve, a kemi arritur të reflektojmë për mendimet e qëndrimet që i kemi për gratë e vajzat në përditshmëri?
Jo. Është shtirje! Gratë në Kosovë çdo ditë vriten së pari në gjuhë që është mendësi patriarkale; pastaj mbi to rëndon dhuna psikologjike, e në fund vriten me armë, edhe nga vrasës me pagesë?!
Nesër, Liridona kthehet tek toka e çiknisë së saj, për t’na grithë shpirtin e ndalë kohën. Asaj ia preu jetën mendësia e një shoqërie të mërguar larg në tradita mizore.


