Lajme

Lladrovci: Qeverisja në komunën e Drenasit është dhe mbetet shembullore, andaj, keqbërësit e të gjitha ngjyrave, nuk do të kenë sukses!

12/03/2023 17:40
nga:G B

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar qytetarët që nuk ranë pre e dezinformatave të lansuara me profile të shumta të rrejshme, gjatë fushatës zgjedhore para dy vjetësh, me ç’rast u identifikuan bartësi i profileve të rrejshme dhe ideatori i saj.

Qeverisja e komunës së Drenasit, është dhe mbetet shembullore, andaj, keqbërësit e të gjitha ngjyrave, nuk do të kenë sukses, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Në vazhdën e shpalosjes së veprimeve të dënueshme të një “subjekti politik” i cili pretendonte se është i denjë të qeverisë me komunën e Drenasit, po ju ofrojmë dëshmitë e disa profileve të rrejshme me të cilat identifikohej ky “subjekt”.

Qytetarët e painformuar edhe mund të mos i kenë ditur pasojat e profileve të rrejshme, mirëpo, të jesh subjekt politik, me organizim të konfirmuar në KQZ dhe kandidat për kryetar e të obligosh të tjerët që postimet e dërguara përmes viber të postohen në profile të rrejshme, nuk do koment.

Pushteti dhe gara për pushtet është veprimtari transparente, e bazuar në ligj, e ndershme dhe me llogaridhënie. Profilet e rrejshme, në garën e ndershme zgjedhore e transparente, nuk kanë vend.

Institucionet e drejtësisë, me organet e ndjekjes, kanë zbuluar disa nga profilet e rrejshme, nga ku jepeshin mesazhet dezinformuese, shpifëse e trillime të tmerrshme, kundër qeverisjes e cila me vite vlerësohej ose më e mira ose ndër më të mirat në nivel nacional.

Mesazhet nga profilet si: “Demokratët për Drenasin”, “Muzikë turke”, “Liverpool Fan shqip”, “Fshati Qendresë”, “Fshati Nekoc”, “Fshati Arllat”, “Fshati Gradicë”, e në veçanti profilet “Floralba Demaku”, “Fatmir Nika”, “Fshati Gradic”, “Rina Gashi”, “Gryka e LLapushnikut”, dhe të tjera të cilat të dënuarit “nuk i kujtohen”, morën dënimin e merituar.

Pres nga organet e drejtësisë ta trajtojnë rekomandimin e të dënuarit Krasniqi që të pyetet ideatori i profileve të rrejshme që kishin vërshuar komunën e Drenasit, me rastin e zgjedhjeve lokale më 2021, z. Ajazi.

Falënderoj qytetarët e Komunës së Drenasit që nuk ranë pre e manipulimeve nga personat të cilët e kanë specialitet shpifjen dhe dezinformimin, ndërsa betejën kundër dezinformatave, shpifjes e mashtrimit, nuk do ta ndalim.

Qeverisja e komunës së Drenasit, është dhe mbetet shembullore, andaj, keqbërësit e të gjitha ngjyrave, nuk do të kenë sukses!