Lajme

Hovenier: Asociacioni s’duhet ta ndryshojë Kushtetutën dhe as të ketë autoritet ekzekutiv

11/30/2023 22:27
nga:G C

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është pranuar nga kryeministri Albin Kurti në Bruksel, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kam pasur rastin të diskutoj disa herë me presidenten Osmani dhe nuk e di… dua të them, ajo mund të flasë për veten e saj, por nuk e di a është e drejtë që pikëpamjet e saj të cilësohen si dyshime e jo siç mendoj unë që i kuptoj shqetësimet e saj se ka mënyra që potencialisht mund të keqinterpretohen se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si presidente, natyrisht ajo ka të drejtë të shprehë shqetësimet e saj dhe pasi të jetë miratuar dhe të jetë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rishikim – që duhet të ndodhë, është pjesë e procesit – sa e kuptoj unë, ajo, si presidente e Republikës, e ka mundësinë t’ia ofrojë Gjykatës Kushtetuese pikëpamjet e saj”.

“Unë mund të shpreh vetëm pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara: ne besojmë se çfarëdo Asociacioni i komunave me shumicë serbe që themelohet duhet t’i përmbushë një varg të kritereve të ndryshme. I pari: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës; që të mos ketë ndryshime kushtetuese. I dyti: duhet të jetë në përputhje me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes”.

“Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, i përmbush këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, tha Hovenier në T7.

Ai po ashtu, tha se presin nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë marrëveshjen në mënyrë që të ecet përpara.

“E para, dua të jem shumë i kujdesshëm rreth asaj se çka kam thënë e ajo që kam thënë është se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht draft-statutin që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës nga përfaqësuesi i BE-së Lajçak dhe përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe ShBA-së. Dëshiroj ta përmend sërish letrën, të cilës iu referuat edhe ju, nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë, që flet për atë se ata plotësisht e mbështesin dhe e pranojnë statutin. Kjo është një gjë mjaft e jashtëzakonshme që udhëheqësit e lartë politikë të këtyre vendeve të investuar për të parë që Kosova avancon në trajektoren e saj evropiane dhe euro-atlantike duke treguar mënyrën si të ecet përpara përmes dorëzimit të një draft-statuti që do të ndihmonte Kosovën për të përmbushur një hap kritik që i duhet ta përmbushë, e që është zbatimi i Asociacionit, që e presim ta shohim ashtu siç presim të shohim Serbinë duke ecur përpara në zbatimin e detyrimeve të saj sipas marrëveshjes bazë, e që në letrën nga ata udhëheqës i referohet si njohje de facto”, tha ambasadori amerikan.