Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar për takimin që ka pasë me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europë dhe Euroazi, James O’Brien, bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Grubi tha se kanë diskutuar për ndryshimet kushtetuese që i kërkohen Maqedonisë së Veriut dhe për qasjen e re ndaj Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes.
“Bashkë me Kryeministrin Kovaçevski mirëpritëm sot në takim Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Europë dhe Euro-Azi, z. Xhejms O’Brajan dhe Ambasadoren e SHBA-ve në vendin tonë, znj. Angela Aggeler. Potencuam fokusin serioz të vendit tonë në procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve demokratike parlamentare dhe presidenciale, vazhdimin e realizimit të të gjitha reformave të nevojshme dhe rëndësinë e madhe që ka për ne Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor si qasje e re për integrimin tonë më të shpejtë. Përkrahja e SHBA-së ka qenë dhe mbetet jetike në çdo etapë të zhvillimit tonë të mëtejshëm demokratik”, ka shkruar Grubi.


