Lajme

Osmanit takon Peach: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, siguron paqe dhe stabilitet në rajon

11/29/2023 19:32
nga:Genita C

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, do të siguronte stabilet dhe paqe në rajon.

Ajo në takimin që ka zhvilluar me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Presidentja Osmani ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.

Në takim sipas Presidencës, Lord Peach përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë.

Peach, ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.