Lajme

“24 shtatori mund të përsëritet”/ Eksperti i sigurisë: Kosova të nënshkruajë me këto shtete për ndihmë ushtarake

11/25/2023 20:03
nga:G B

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, janë bërë paralajmërime se sërish mund të ketë tensione në veri.

Ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ka bërë një paralajmërim të tillë, derisa ka thënë se ushtria serbe po përdor armët kineze për shfaqjen e agresionit ndaj Kosovës.

Lidhur me këto paralajmërime, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se situata e sigurisë është e tensionuar, por që Kosova ka dëshmuar se është në gjendje t’i përballojë kërcënimet e tilla që vijnë.

“Situata aktuale në sferën e sigurisë mund të konstatojmë që është e tensionuar, si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të nivelit politik mbi proceset e sigurisë por edhe veriut në veçanti. Kosova ka dëshmuar që është në gjendje të përballoje kërcënimet e tilla që kanë qëllim cenimin e sigurisë kombëtare nga formacionet ushtarake/inteligjente/kriminale nga jashtë”, thotë ai.

Mirëpo, Shala potencon se duhet rritur gatishmërinë e bashkërendimit me partnerët dhe po ashtu Kosova duhet të nënshkruajë marrëveshje me disa shtete, që të mund të ofrojnë ndihmën adekuate ushtarake.

“Por, që në aspektin e mbrojtjes ne do të duhet të rritim gatishmërinë e bashkërendimit me partnerët tanë dhe të fillohen hapat e parë drejt marrëveshjeve shtet me shtet për të ofruar siguri dhe mbrojtje Kosovës në rast të invazionit eventual ushtarak të Serbisë. Pra, Kosova duhet të nënshkruajë marrëveshje me Amerikën, Shqipërinë, Kroacinë, Hungarinë, Australinë dhe IDF e Izraelit për të ofruar ndihmën adekuate ushtarake”, vlerëson eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.

Ai shton se 24 shtatori mund të ripërsëritet.

“24 shtatori 2023 mund të na ripërsëritet në rast se hyjnë shumë faktorë relevantë në veprim, duke filluar nga ato gjeopolitike e gjeostrategjike që determinojnë veprime në hemisferën e veriut, respektivisht në Evropë e Ballkan”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/