Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahmi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka reaguar pas kumtesës së Ministrisë së Financave, ku i njoftoi komunat se deri më 8 dhjetor mund të bëjnë faljen e 100 euro për tatimin në pronë.
Ibrahimi thotë se të gjitha komunat e kanë pranuar vendimin e Gjykatës Kushteuese ku aty shkruan se komunat kanë kompetencë për marrjen e vendimit për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro.
“Të gjitha komunat e kanë pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku aty shkruan qartë se komunat kanë kompetencë për marrjen e vendimit për faljen e tatimit në pronë deri në 100 eur. Gjithashtu edhe afati i fundit për marjen e këtij vendimi është shënuar qartë në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Ibrahimi.
Tutje ai thotë se të njoftohen komunat për diçka që janë të vetëdijshëm dhe që është publike është një veprim qesharak.
“Komunat kanë kryetar, drejtor komunal, zyrtar ligjor të cilët i përcjellin vendimet e gjykatave dhe ka qenë veprim mund ta them edhe qesharak që të njoftohen komunat për diçka që janë të vetëdijshëm dhe që është publuke. Aq shumë është proklamuar kjo qarkore për t’i informuar komunat rreth diçka që veç dihet sa menduam që mos rastësisht kjo ministri ka menduar që kjo falje do të bëhet nga niveli qendror”, shtoi ai.
Ibrahimi për njoftimin e Ministrisë së Financave, thotë se në gjuhën e popullit i bie ‘kur nuk ke çka bën, luaje derën’. Sipas tij më mirë do ishte që kur të miratoheshin ligje të tilla të zbatoheshin me buxhet nga niveli qëndror e jo nga buxhetet komunale.
“Veprimi i kësaj ministrie në gjuhën e popullit i bie “kur nuk ke çka bën, luaje derën”. Më mirë do të ishte që kur të miratojnë ligje të tilla në nivel qëndror, ato ligje të zbatohen me buxhet nga niveli qëndror e jo nga buxhetet komunale. Nëse të gjitha komunat do sjellin vendime të tilla, atëherë do kemi rreth 28 milion euro më pak për investime kapitale, subvencione, shërbime komunale etj për vitin e ardhshëm”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.
Komunat kanë afat deri më 8 dhjetor për të vendosur për faljen e tatimit në pronë


