Lajme

Grupi që po bën kërrdi me vjedhje, eksperti i sigurisë: Është i njëjti grup

11/24/2023 18:55
nga:N K

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, është shprehur se, grabitjet që po ndodhin në Kosovë, ai në bankomatin e Ferizajt, e së fundmi edhe në argjendarinë në Suharekë, mund të jenë i të njëjtit grup kriminal, raporton Gazeta Blic.

Shala në një prononcim për Gazeta Blic, tha se, raste të tilla kryesisht ndodhin për shkak të aspektit ekonomiko-social, dhe se gjatë fundvitit në kohën e mërgatës, qytetarët janë të vetëdijshëm që ata kanë para në xhepat e tyre.

“Zakonisht në muajt e fundit të viteve po kemi aktivitete kriminale të grabitjeve të ndryshme, vrasje të cilat kryesisht janë ndërlidhur në aspektin ekonomiko-social. Shto këtu edhe faktin që në fundvit ka një fluks të madh të qytetarëve që vijnë nga mërgata dhe janë të fokusuar në blerje të fundvitit, dhe qytetarët në aspketin psikologjik e kuptojnë që kanë para në xhepat e tyre. Pra, kjo është kryesisht pjesa kryesore që i nxit këta persona të kryejnë aktivitete kriminale”, tha ai.

Shala për rastin e fundit në argjendari tha se, ka qenë i planifikuar hyrja dhe dalja nga qyteti dhe se duhet të shtohet prezenca e sigurisë policore të uniformuar dhe civil.

“Nëse mund t’i referohemi rastit të fundit po vërehet se është një grup i strukturuar bukur mirë, të cilët kanë njohuri sesi duhet të bëjnë veprime kriminale, kanë marrë për bazë veprime të tyre tërheqjes taktike që vjenë në radhën e Suharekës ku e kanë planifikuar edhe hyrjen në qytet, por edhe daljen nga qyteti. Mbi këtë bazë organet e sigurisë, në kuadër të policisë së Kosovës duhet të ketë një shtim më të madh të zyrtarëve të saj edhe me armë të shkurtëra, por edhe me armë të gjata të uniformuar dhe civil që duhet të lëvizin në qytetet e caktuara për të treguar prezencën e tyre”, potencoi ai.

Shala deklaroi se, ka një ngjashmëri mes plaçkitjes në argjendarinë në Suharekë dhe bankomatit në Ferizaj, ku duhet të jetë i njëjti grup kriminal.

“Rastet janë interesante që mund të ndodhin edhe në ditët dhe javët e muajt në vijim, në rast se nuk do të vijnë para drejtësisë personat e caktuar. Në qoftëse vërehet intervenimi apo plaçkitja siç është bërë në Suharekë, ka një ngjashmëri me rastet e grabitjeve të bankomatit në Ferizaj, pra do të duhet të jetë i njëjti grup dhe mbi këtë bazë unë mendoj që organet e sigurisë tanimë janë duke aktivizuar të gjithë potencialin e tyre që këta persona të vijnë para drejtësisë“, shtoi Shala.

Tutje, eksperti i sigurisë, shtoi se duhet të kemi një komunikim me kompanitë private dhe kështu mund të garantojmë një siguri më të mirë.

“Do të duhet të kemi një komunikim dhe kombinim me kompanitë private të sigurimeve dhe kështu së bashku dy elementet esenciale mund të garantojnë një siguri më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundoi Shala për Gazeta Blic.

 

Policia jep detaje në lidhje me grabitjen e armatosur në Suharekë

Pronari i argjendarisë në Suharekë rrëfen momentin kur grabitësit hynë në objekt

Policia publikon pamje të tentimvrasjes në Ferizaj, kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarve