Sot në Kuvendin e Kosovës është diskutuar edhe çështja e zjarrit që ndodhi mëngjesin e të mërkurës në zyrat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi formimin e një komisioni hetimor për çështjen e zjarrit.
Ndërsa, opozita shprehu dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme, për të fshehur prova dhe gjurmë kriminale.
Lidhur me këto deklarata, avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ky institucion ka veprimtari të rëndësishme dhe të ndjeshme, dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore, si institucion i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, përgjegjëse për kryerjen e autopsive mjeko ligjore, ekzaminimeve klinike mjeko ligjor, ekzaminimeve të mostrave biologike, si dhe ekzaminimeve tjera mjeko ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi, përfshirë edhe mbajtjen e regjistrit të rezultateve mjeko ligjore, si dhe kërkimet, gjetjet dhe zhvarrimin, si dhe përcaktimin e fatit, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur që ndërlidhen me luftën në Kosovë. Pra, veprimtaria e këtij institucioni përveç se është e rëndësishme, është edhe e ndjeshme”, thotë ai.
Bajraktari përmend faktin se ky institut u kaplua nga zjarri për dy herë brenda një periudhe të shkurtër kohore, ku dhe u zhdukën mostrat e Deharit.
“Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ky institucion u kaplua dy herë nga zjarri, si dhe u zhdukën mostrat e njërit prej rasteve të shumë diskutuar dhe tejet të ndjeshme, mostrat e të ndjerit Astrit Dehari”, shprehet avokati për Gazeta Blic.
Ai thekson se për këto ngjarje duhet hetim nga Prokuroria e Shtetit.
“Andaj, në lidhje me këto ngjarje, para së gjithash dhe në radhë të parë duhet hetim dhe zbardhje e së vërtetës nga ana e organeve ligj-zbatuese, përkatësisht Prokurorit të Shtetit, i cili nga se është transmetuar në publik, lidhur me rastin e fundit, janë autorizuar veprime përkatëse hetimore”, vlerëson avokati Bajraktari.
Sipas tij, lidhur me kërkesën për komision hetimor, atë e lejon ligji por që nuk është efikas.
“Ndërsa, sa i përket hetimet eventual nga ana e komisionit hetimor parlamentar natyrisht se një gjë të tillë e mundëson ligji përkatës, por praktika e deritashme nuk i ka dëshmuar si efikase trupat e tillë, shto faktin që ligji aktual ka mangësi, me theks të veçantë tek çështja e afatit (prej 6 muajsh) për dorëzimin e raportit, vështirë të pritet diçka nga një proces i tillë”, deklaron Ardian Bajraktari./Gazeta Blic/
Hetimet për zjarrin në IML/ Flasin nga Prokuroria Themelore


