“Duke bërë të ditur se pa një marrëveshje ndërshtetërore me Beogradin, nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, Albin Kurti, si dhe të gjithë ata që e mbështesin atë në Perëndim, “shkelin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë marrëveshjet e arritura”, ka deklaruar ish-diplomati serb Zoran Millivojeviq për portalin serb “kosovoonline”.
Sipas fjalëve të tij, “nuk ka dyshim se me atë me çfarë po kushtëzon Kurti votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për Kuvendin e Serbisë të planifikuara për 17 dhjetor është e papranueshme për ne”.
“Sipas asaj që kërkon Kurti, nuk ka kushte që këto zgjedhje të zhvillohen. Duke pasur parasysh se ai ka mbështetjen e qendrave të pushtetit perëndimor, do të kemi të njëjtën histori si në zgjedhjet e fundit dhe se serbët nga Kosova do të duhet të shkojnë në Serbi për të ushtruar të drejtat e tyre në këtë proces zgjedhor. Është shumë e qartë se ajo që kërkon Kurti për Serbinë nuk është e pranueshme dhe është e paarritshme, kjo tregon se ai nuk po ndryshon strategjinë e tij politike dhe se qëllimi i tij i vetëm politik dhe strategjia është që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Millivojeviq.
Ai gjithashtu ka shtuar, se ky është një synim maksimalist, i cili jo vetëm e bën të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve, por edhe të gjithë procesin e normalizimit dhe vë në pikëpyetje dialogun.
“Kjo nuk është asgjë e re, është e pritshme dhe pyetja e vetme kur bëhet fjalë për zgjedhjet, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me dialogun dhe normalizimin, është qëndrimi i qendrave perëndimore të pushtetit, a kanë vërtet interes për një normalizim, de-përshkallëzim apo jo. Nëse nuk ka ndryshim qëndrimi, atëherë jemi në një rreth vicioz dhe kam frikë se nuk do të ketë rezultate”, pretendon ish-diplomati serb.


