Opinion

Në sy të uraganit

11/20/2023 10:34
nga:Josep Borrell

Josep Borrell

Të hënën zhvilluam Këshillin tonë të përmuajshëm për Punë të Jashtme. Diskutuam kryesisht situatën dramatike në Gaza dhe luftën kundër Ukrainës. Këto dy konflikte janë shumë të ndryshme, por edhe të ndërlidhura. Na duhet të mbajmë qëndrim principial për Gazën dhe të bëhemi shumë më të përkushtuar për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, si dhe në të njëjtën kohë të qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ukrainës për “për aq kohë sa duhet”.

“Na duhet të bëhemi shumë më të përkushtuar për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, si dhe në të njëjtën kohë të qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ukrainës për “për aq kohë sa duhet” Josep Borrel

BE-ja përballet me dy prova të mëdha në Ukrainë dhe në Izrael-Palestinë. Zjarri i luftës ka gati dy vjet që digjet në kufirin lindor të Evropës, shumë më gjatë sesa e kishte menduar Putini. Ai besonte se brenda disa javësh ushtria ruse do të ishte në Kiev dhe mund të instalonte një regjim kukull, si ai në Bjellorusi. Falë rezistencës së Ukrainës dhe mbështetjes ndërkombëtare, kjo nuk ndodhi.

Evropa u ngrit në lartësinë e përgjegjësive të saj

Evropa u ngrit në lartësinë e përgjegjësive të saj: BE-ja e ka mbështetur masivisht Ukrainën ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kemi trajnuar më shumë se 30,000 ushtarë ukrainas dhe mbështetja jonë ushtarake tani arrin në 27 miliardë euro. Kemi vendosur 11 paketa të sanksioneve dhe po përgatisim të 12-tën. Ajo do të përfshijë ndalime të reja të importit dhe eksportit, veprime për të shtrënguar kufirin e çmimit të naftës, si dhe për të luftuar anashkalimin e sanksioneve.

“Regjimi i Putinit ka nevojë për luftë sepse ky është instrumenti për mbijetesën e tij politike. Na duhet të përgatitemi për një konflikt të gjatë, të cilin Rusia nuk mund ta fitojë, por fundin e të cilit mund ta vonojë”.

Megjithatë, duhet të jemi realistë: perspektiva e fitores së Ukrainës ndaj Rusisë nuk është e menjëhershme. Regjimi i Putinit ka nevojë për luftë sepse ky është instrumenti për mbijetesën e tij politike. Na duhet të përgatitemi për një konflikt të gjatë, të cilin Rusia nuk mund ta fitojë, por fundin e të cilit mund ta vonojë. Me zgjedhjet në SHBA në horizont, të cilat, shpreson Putini, mund të vënë në rrezik mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, ai beson se demokracitë më në fund do të lëkunden. Na duhet t’i dëshmojmë se e ka gabim dhe të qëndrojmë të bashkuar për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës “për aq kohë sa duhet”.

Garancia më e madhe e sigurisë që mund t’i japim Ukrainës është anëtarësimi në BE

Komisioni Evropian ka rekomanduar javën e shkuar hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Ukrainën. Po punojmë edhe për garancitë e sigurisë që do t’i jepen vendit. Kam propozuar krijimin e një fondi shumëvjeçar të dedikuar brenda Fondit Evropian të Paqes për të siguruar mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën gjatë viteve në vijim. Megjithatë, ne nuk jemi aleancë ushtarake dhe garancia më e madhe e sigurisë që mund t’i japim Ukrainës është ta bëjmë anëtare të plotë të familjes evropiane.

Çështja e dytë madhore është situata në Izrael dhe Palestinë pas sulmit të tmerrshëm terrorist të Hamasit më 7 tetor, të cilin ne e kemi dënuar në termat më të ashpër të mundshëm. Një muaj më vonë, një tragjedi humanitare po shpaloset në Gaza.

Na duhet ta tregojmë se akuza për standarde të dyfishta është e rreme

Siç e shpjegova edhe javën e kaluar në kongresin e Partisë Socialiste Evropiane, edhe pse këto dy konflikte janë shumë të ndryshme në shkaqet dhe akterët e tyre, ato janë gjithashtu të ndërlidhura. Shumë vende në të ashtuquajturin Jug Global na shohin sikur jemi duke aplikuar standarde të dyfishta në lidhje me të drejtën ndërkombëtare në Ukrainë dhe në Gaza. Me veprat dhe fjalët tona, na duhet ta tregojmë se kjo akuzë është e rreme.

Sigurisht, ne mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur përballë sulmeve të tmerrshme terroriste që ka pësuar. Por, siç tha Presidenti Obama në një tekst frymëzues, ka rëndësi mënyra si mbrohet Izraeli. Izraeli duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të përpiqet të minimizojë viktimat civile. Ndërprerja e ujit, ushqimit, energjisë elektrike dhe karburantit për një popullsi të tërë civile të rrethuar, nuk është e pranueshme.

“Një strategji ushtarake që injoron kostot njerëzore për civilët, bart riskun që të bëjnë pothuajse të pamundur paqen e ardhshme mes palestinezëve dhe izraelitëve. Megjithatë, paqja është e vetmja garanci reale afatgjatë për sigurinë e Izraelit.”

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza tashmë ka më shumë se njëmbëdhjetë mijë viktima, rreth gjysma e tyre janë fëmijë. Një strategji ushtarake që injoron kostot njerëzore për civilët nuk mundet të funksionojë, sepse bart riskun që të bëjnë pothuajse të pamundur paqen e ardhshme mes palestinezëve dhe izraelitëve. Megjithatë, paqja është e vetmja garanci reale afatgjatë për sigurinë e Izraelit.

Shmangia e përhapjes në rajon
Gjatë ditëve në vijim, na duhet të shmangim një përhapje të konfliktit në rajon dhe të arrijmë de-përshkallëzimin e menjëhershëm. Duhet të arrijmë pauza humanitare, ndalim zjarri, armëpushim… emri nuk ka rëndësi, ajo që ka rëndësi është të kufizojmë vuajtjet e popullatës civile dhe të bëjmë të mundur lirimin e pengjeve izraelitë.

Është e nevojshme të sigurohet që çdo ditë në Gaza të hyjë një rrjedhë e rregullt e ndihmave humanitare në sasitë e nevojshme, duke përfshirë karburantin. Shumë kamionë presin në kufi dhe paratë nuk mungojnë. Çka nevojitet ende, janë korridoret e sigurta për t’ua sjellë këto ndihma të gjithë njerëzve në nevojë dhe për të evakuuar të plagosurit dhe të sëmurët, si dhe shtetasit e huaj. Ne kemi nevojë për më shumë rrugë të qasjes tokësore në Gaza dhe po studiojmë gjithashtu propozimin e Qipros për të hapur një korridor detar për enklavën. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar duhet gjithashtu të ketë qasje te pengjet e mbajtura nga Hamasi, të cilët Hamasi duhet t’i lirojë detyrimisht.

“Ajo që po ndodh aktualisht në Gaza është pasojë e një dështimi politik dhe moral 30-vjeçar të komunitetit ndërkombëtar.”

Ajo që po ndodh aktualisht në Gaza është pasojë e një dështimi politik dhe moral të komunitetit ndërkombëtar. 30 vjet pas marrëveshjeve të Oslos, nuk është bërë jo që duhet për ta bërë realitet zgjidhjen me dy shtete. Sot, numri i kolonëve izraelitë në territoret e pushtuara palestineze është pothuajse tre herë më i madh se 30 vjet më parë dhe ky territor është ndarë në një arkipelag zonash të palidhura, duke e bërë shumë më të vështirë zbatimin e zgjidhjes me dy shtete të kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për 76 vjet. Ne duhet të mbrojmë me theks të barabartë të drejtat e palestinezëve dhe të izraelitëve për lirinë, sigurinë dhe dinjitetin e tyre.

Tri “po-të” dhe tre “jo-të”

Pasi të jetë konsoliduar armëpushimi humanitar, çka nuk ka gjasa për momentin, do të duhet të kalojmë nga ndihma në veprim politik. Dhe tranzicioni i menjëhershëm politik do të duhet të bazohet në parimet e mëposhtme që kemi diskutuar në Këshillin tonë për Punë të Jashtme. Do ta përmblidhja në tri “po” dhe tre “jo”.

Së pari, jo për çdo zhvendosje të detyruar të popullit palestinez nga Gaza në vende të tjera.

Së dyti, territori i Gazës nuk mund të zvogëlohet dhe nuk duhet të ketë riokupim të përhershëm të Gazës nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, as kthim të Hamasit në Gaza.

Së treti, Gaza nuk mund të shkëputet nga pjesa tjetër e çështjes palestineze: zgjidhja për Gazën duhet të vendoset brenda zgjidhjes së problemit palestinez në tërësi.

Dhe tri “po-të” kanë të bëjnë me akterët që të angazhohen në një zgjidhje.

Së pari, në Gaza duhet të qeverisë një Autoritet Palestinez, natyra, roli dhe legjitimiteti i të cilit duhet të përcaktohen nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Por ky autoritet me siguri do të duhet të mbështetet.

Dhe kjo është po-ja e dytë për një përfshirje më të fortë të vendeve arabe. Aktualisht, shtetet arabe nuk duan të flasin për “të nesërmen”, sepse janë të fokusuar tek tragjedia që po shpaloset sot. Por nuk do të ketë zgjidhje pa një përkushtim të fortë prej tyre, dhe jo vetëm financiar. Nuk bëhet fjalë vetëm për rindërtimin fizik, por edhe për kontributin politik në shtetndërtimin e Palestinës.

Po-ja e treta është një përkushtim më i madh i BE-së në rajon.

“Për BE-në, çështja nuk është vetëm të ndihmojë në rindërtimin e Gazës, të cilën e kemi bërë tashmë disa herë, por të ndihmojë në ndërtimin e një shteti të plotë sovran palestinez, të aftë për të rivendosur dinjitetin e palestinezëve dhe për të bërë paqe me Izraelin.”

Për ne gjithashtu, çështja nuk është vetëm të ndihmojë në rindërtimin e Gazës, të cilën e kemi bërë tashmë disa herë, por të ndihmojë në ndërtimin e një shteti të plotë sovran palestinez, të aftë për të rivendosur dinjitetin e palestinezëve dhe për të bërë paqe me Izraelin.

Ky duhet të jetë synimi dhe përkushtimi ynë. Përndryshe, rrezikojmë të qëndrojmë në një spirale dhune dhe siguria jonë mund të kërcënohet gjithnjë e më shumë: ky konflikt ka potencialin të krijojë paqëndrueshmëri serioze në mbarë botën. Ne evropianët, për interesa tona, por edhe për përgjegjësinë tonë morale dhe politike, duhet të përkushtohemi shumë më tepër për të arritur paqen midis Izraelit dhe Palestinës. Një pjesë e rëndësishme e rolit të ardhshëm global të Unionit, dhe veçanërisht e marrëdhënieve tona me vendet e të ashtuquajturit Jug Global, do të varet nga përkushtimi ynë për ta zgjidhur këtë konflikt.

“Një pjesë e rëndësishme e rolit të ardhshëm global të BE-së do të varet nga përkushtimi ynë për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez.”

Në ditët në vijim, unë do të udhëtoj në Izrael, Palestinë, Bahrein, Arabi Saudite, Katar dhe Jordani, për t’i diskutuar këto çështje dhe propozime me shumë nga akterët kryesorë rajonalë.

Nevoja për një traktat paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Për fund, diskutuam edhe me ministrat e jashtëm të BE-së për situatën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Na duhet të ndihmojmë në mbrojtjen e Armenisë nga çdo destabilizim i brendshëm apo i jashtëm. Si hap i parë, do të forcojmë misionin tonë civil në vend. Negociatat mes Armenisë dhe Azerbajxhanit duhet të rifillojnë dhe duhet të arrihet një traktat paqeje. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë ndërmjetësimin e iniciuar nga Presidenti Michel i Këshillit Evropian. Ne i kemi dërguar gjithashtu një mesazh të qartë Azerbajxhanit se çdo shkelje e integritetit territorial të Armenisë do të kishte pasoja të rënda për marrëdhëniet tona.

Në BE, ne jemi në sy të uraganit, duke dëshmuar konflikte në shumë rajone rreth nesh. Për t’i mbrojtur vlerat dhe interesat tona dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë, ne duhet të mendojmë dhe të veprojmë në mënyrë principiale dhe strategjike.