Sporti

Bare: Jemi të bashkuar dhe nuk i trembemi askujt

11/19/2023 18:35
nga:E K

Mesfushori Keidi Bare ishte në krah të trajnerit Sylvinho, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Ishujt Faroe, e planifikuar për të hënën në mbrëmje në “Air Albania” duke filluar nga ora 20:45.

Mesfushori i Espanyolit komentoi kualifikimin në Evropian dhe vlerësoi punën e mirë të Sylvinhos, në aspektin e forcimit të grupit.

“Trajneri na ka dhënë shumë besim dhe ka forcuar shumë grupin. Edhe Federata ka bërë një punë shumë të mirë, pasi na ka krijuar kushte fantastike për të punuar. E falënderoj edhe Federatën, pasi ndjehemi shumë mirë me kushtet e punës këtu”, tha ai.

“Unë e kam ëndërruar shumë këtë arritje, pasi është diçka unike për ne, për popullin tonë. Ia kemi dalë me sukses, me besim dhe me punë, por mbi të gjitha me mbështetjen e tifozëve. Edhe kur kemi luajtur jashtë vendit, ata kanë qenë prezentë dhe i kemi një lojtar të 12”, shtoi Bare duke folur për ndeshjen e së hënës.

“Na pret një ndeshje të hënën, që është shumë e rëndësishme, pasi duam të qëndrojmë në krye të grupit. Nuk ka mbaruar asgjë dhe rrugëtimi ynë sapo ka nisur. Pas ndeshjes së të hënës do të shohim përpara, për t’u përmirësuar dhe për t’u përfaqësuar sa më mirë në Gjermani”, pohoi ai.