Shqipëria ka arritur të marrë pikën ‘e artë’ në transfertë me Moldavinë.
Kuqezinjtë barazuan dje me rezultat 1-1 në Moldavi duke siguruar kështu biletën për në Kampionatin Evropian “Euro 2024“.
Trajneri kosovar, Tahir Lushtaku ka folur për “GazetaBlic Sport” dhe ka komentuar arritjen historike të kombëtares shqiptare.
“Pas barazimit të mbrëmshëm dhe sigurimit të kualifikimit në Evropian besoj që jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët i janë gëzuar këtij suksesi. Tashmë është hera e dytë që Shqipëria po kualifikohet në Kampionatin Evropian. Kombëtarja e Shqipërisë nuk e nisi mirë ndeshjen e parë me ardhjen e trajnerëve të rinj, por Sylvinho dhe stafi i tij morën masat dhe analizuan në përgjithësi ekipin, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Në fillimi të gjithë kemi mundur të jemi pak skeptik pasi trajneri nuk ka pasur CV më të pasur. Megjithatë duket që e gjeti ‘recetën’ duke motivuar të gjithë futbollistët dhe popullin shqiptar nga ndeshja në ndeshje.
Është një atmosferë shumë e mirë jo vetëm në kampin ‘Kuq e Zi’, por edhe në të gjitha trojet shqiptare pasi është një frymë tejet pozitive. Organizimi është për t’u marrë ‘lakmi’ sa i përket pjesës së menaxhimit të grupit që po shihet se janë shumë të bashkuar. Ky është ndoshta ‘çelësi’ kryesor i Shqipërisë, grupi i bashkuar që është në kulmin maksimal të tyre“, tha fillimisht Tahir Lushtaku.
Tutje Lushtaku potencon se beson se kjo është përbërja më e mirë në histori të Kombëtares së Shqipërisë.
“Besoj që ky grup është më i mirë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Sylvinho ka arritur që të grumbulloj futbollistët që janë më në formë. E ka studiuar si duket mirë edhe mentalitetin tonë shqiptar. Mendoj që Sylvinho me stafin e vet nuk ka lënë as më të voglën gjë pa analizuar dhe studiuar dhe besoj që në bazë të kësaj ka arritur këto suksese.
Shqipëria nuk është më një ekip inferior ndaj askujt, hyn në fushë me çdo skuadër si e barabartë. Shpresojmë që të ketë fat në grupe dhe nëse vazhdohet që me këtë ritëm jam optimist që ky ekip do t’i kaloj të gjitha pritshmëritë“, përfundoi Lushtaku për GazetaBlic Sport.


