Lajme

Kurti lavdëron punën e Policisë: Janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale, u arrestuan mbi 3 mijë e 800 persona

11/15/2023 13:09
nga:N K

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka shënuar të mërkurën “Ditën e informimit për komunitetet”. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë, kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Akademia e Sigurisë Publike sjellë dije në punën e secilit për sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, profesionalizimi i kësaj Akademie është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve. Ai më pas ka numëruar punët e Policisë, duke thënë se janë organizuar mbi 1 000 operacionale policore, janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale  dhe janë arrestuar mbi  3 mijë e 800 persona.

“Më vjen mirë që jam sot këtu në Vushtrri e cila luan një rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt. Profesionalizimi i kësaj Akademie dhe i stafit të përkushtuar është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve tanë”.

“Nga fillimi i mandatit tonë qeverisë janë organizuar mbi 1 000 operacionale policore, janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale  dhe janë arrestuar mbi  3 mijë e 800 persona”.

“Është e domosdoshme që të gjitha komunitetet që janë të përfaqësuara në Kosovë të kontribuojnë në institucionet tona”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dyert e institucioneve të sigurisë mbesin gjithmonë të hapura për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim, që siç tha ai për rrugëtimin e përbashkët për forcimin e shtetit.

“Institucionet tona të sigurisë kanë gjithmonë dyert e hapura për ata e ato që duan të jenë faktor në ofrimin e sigurisë. Në historinë e themelimit të institucioneve tona dhe në ngritjen e kapaciteteve tona  pjesë e pandashme është kontributi nga të gjitha komunitetet. Diversiteti është vlerë. Jam i lumtur që kemi pjesëtarë nga të gjitha komunitetet në të gjitha nivelet”.

“Akademia për Siguri Publike ka ngritur gjenerata të tëra që sot janë pjesë e institucioneve. Ky takim i përbashkët është një mundësi e mirë e njoftimit tuaj me punën e institucioneve të sigurisë dhe me mundësinë e bashkimit tuaj me ne në këtë rrugëtim të përbashkët në forcimin e shtetit tonë. Radhët tona mirëpresin secilin prej jush”. /EO