Sporti

Pioli flet pas barzimit ndaj Lecce: Duhej ta fitonim këtë ndeshje, po i largohemi kreut

11/11/2023 19:03
nga:Mergim Rreci

Milani shpërdoroi avantazhin e dyfishtë të siguruar në pjesën e parë përballë Lecces, me takimin që përfundoi në barazim 2-2. Kuqezinjtë regjistruan ndeshjen e katërt radhazi pa fitores në Serie A.

Trajneri Stefano Pioli foli pas takimit në “Via del Mare”, duke kritikuar performancën e djemve të tij në 45 minutat e dyta të sfidës.

“U nxituam në pjesën e dytë, u ngutëm. E qarkulluam pak topin dhe pësuam nga këndorja një gol të ngjashëm si kundër PSG-së.

Duhej ta fitonim këtë ndeshje. Kur nuk arrin të mbyllësh takimin, atëherë duhet të shfaqesh kompakt në fushë. Kryem gabime, na mungoi kthjelltësia.

Po humbasim pikë që na largojnë nga kreu. Është normale të jesh nervoz kur të rrëshqasin nga duart këto lloj ndeshjesh”, u shpreh Pioli.

Milani renditet i treti në Serie A me 23 pikë, pozicion që mund ta humbë nëse Napoli triumfon ndaj Empolit në “Diego Maradona”.