Lajme

Përfaqësuesi i propozuesve të Beogradit thotë se ka vendim gjyqësor të formës së prerë për kompensimin e tokës

11/10/2023 16:46
nga:N K

Në procedurën jokontestimore mes propozuesve P.G, M.R,G.I,L.I nga Beogradi dhe Komunës së Prishtinës, përfaqësuesi i propozuesve të lartcekur avokat Fehmi Shala thotë se baza e kompensimit për tokën është e vërtetuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në këtë rast, propozuesit P.G, M.R,G.I,L.I nga Beogradi që nga viti 2006 kanë bërë kërkesë për kompensim real në para për pronën e caktuar ndaj Komunës së Prishtinës në procedurë jashtë kontestimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me pretendimet e avokatit Shala, përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës Rina Govori tha se e kundërshtojnë në tërësi pasi që me aktgjykimin që ka përmendur avokati Shala është anuluar deklarata për dhuratën dhe nuk ka pasur aktvendim me të cilin i është marrë prona propozuesve P.G, M.R,G.I,L.I.

Fillimisht, lidhur me obligimin e kundërpropozuesit -Komuna e Prishtinës nga seanca e kaluar që provat e deklaruara t’i dorëzojë deri në seancën e sotme gjykata konstatoi se deri më tani nuk është dorëzuar ndonjë provë.

Për këtë përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Govori tha se provat e kërkuara nuk kanë mundur të sigurohen pasi që nuk ka listë të evidentuar me emrat e personave të cilët kanë marrë shtesa të fëmijëve në atë kohë.

Ndërsa, i autorizuari i propozuesve, avokati Shala tha se gjykatës i ka dorëzuar parashtresë përmes të cilës gjykata është njoftuar se pala propozuese nuk ka marrë kompensim për tokë ashtu siç pretendon Komuna e Prishtinës.

Tutje, gjykata ka administruar si prova materiale Aktgjykimin e Gjykatës Komunale për anulimin e deklaratës dhe atë të Qarkut, Vendimin e Komisionit për Kthimin e Tokave, Certifikata e Pronës, Ekspertiza me dy grupe të ekspertëve dhe të tjera.

Ndërkaq gjykata ka refuzuar propozimin e avokatit Shala për ridëgjimin e ekspertëve me arsyetimin se ata kanë qenë prezentë në seancë dhe se të njëjtit janë dëgjuar nga palët ndërgjyqëse lidhur me ekspertizën që kanë përpiluar.

Më kërkesën e palëve ndërgjyqëse, fjala përfundimtare lidhur me këtë çështje do të dorëzohet me shkrim brenda 7 ditësh.

Përndryshe propozuesit P.G, M.R,G.I,L.I nga Beogradi me 19 korrik 2006 kanë parashtruar kërkesë për kompensim real në procedurë jashtë kontestimore ndaj kundërpropozuesit Komunës së Prishtinës.

Në propozim thuhet se Gjykata komunale e Prishtinës me 14 mars 1997 kishte aprovuar kërkesë padinë e paditësve A.A, dhe T.G me të cilën është anuluar deklarata mbi dhuratën e dhënë para Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Prishtinës me të cilën paraardhësja juridike e paditësve ia ka dhuruar Këshillit Popullor të Qytetit Të Prishtinës 4,00 ha tokë në rajonin e Komunës së Prishtinës.

Tutje thuhet me aktvendimin e komisionit për kthimin e tokës e cila ka kaluar në pronësi shoqërore në bazë të fondit të tokës bujqësore dhe konfiskimit për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve nga grumbullimi i detyrueshëm të prodhimeve bujqësore është vërtetuar se paraqitësve të kërkesës A.G dhe T.G të cilët kanë kërkuar kthimin e tokës iu takon e drejta në kompensim në para për tokën e përmendur.

Detyrimi për pagimin e kompensimit në para për tokën ndërtimore të qytetit të përshkrua bie në ngarkesë të qytetit të Prishtinës.

Andaj propozuesit kanë dërguar këtë propozim Gjykatës Komunale në Prishtinë që në procedurë jo kontestimore të caktoj kompensimin në para për tokën e përshkruar më lartë.

Sipas këtij propozimi, propozuesit janë të pajtimit që nëse Komuna e Prishtinës nuk ka mundësi të bëj kompensimin me para, atëherë këtë detyrim mund ta përmbushë Komuna me kthimin e tokës tjetër në pronësi të kundërpropozuesi.