Publicisti, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me procesin e dialogut.
Maliqi tha se ka një angazhim maksimal rreth këtij procesi dhe këtë e tregon edhe vizita e këshilltarit special të Biden në Kosovë, O’Brien.
“Angazhimi më duket se është maksimal. Biden e ka dërguar edhe këshilltarin special të tij O’Brien me u taku me kryeministrin Kurti dhe kjo është edhe një garancë se Amerika e ka seriozisht. Edhe Bashkimi Evropian është kësaj here më afër, një lloj konsensusi sepse fuqitë më të forta të BE-së por edhe Britania e Madhe janë në favor të zgjidhjes së krizës në Kosovë e cila lehtëson edhe mundëson që Ballkani Perëndimor të ketë stabilitet dhe siguri” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”
Maliqi foli edhe në lidhje me Draft-Statutin e përpiluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai tha se të njëjtin e ka parë si Draft amerikan.
Maliqi tutje shtoi se ka një rivalitet të panevojshëm Rama-Vuçiq.
“Draft-Statutin e përpiluar nga Edi Rama e ka pa si Draft amerikan sepse ai ka punu me ekspertët e jashtëm. Ai vetë ka deklaru se ky nuk është Draft-Statuti im por e kemi patur parasysh që të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës njëjtë siç deklaron edhe ambasadori Hovenier”
“Po ndodh një lloj rivaliteti i panevojshëm. Kryeministri i Shqipërisë ka të drejtë legjitime me mbrojt interesat e Shqipërisë në këtë aspekt. Kriza e Kosovës është krizë rajonale, pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës as rajoni s’po mundet të përparojë dhe as Shqipëria. Më herët Rama e ka patur nismën ‘Open Ballkan’ ku ka provu pa Kosovën por është zhgënjy edhe në vetë Vuçiqin dhe tani është kthyer në Procesin e Berlinit që ai vetë tha se është e njëjta gjë. Ballkani perëndimor duhet të përgatitet për anëtarësim në BE dhe kjo është esenca e procesit. Tani edhe vetë liderët evropianë edhe Macroni edhe këta po e ‘kuptojnë’ se duhet të ketë një “karrotë” për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ndoshta është në prag të nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kjo perspektivë e pret edhe Kosovën nëse proceset shkojnë në drejtimin e duhur” theksoi publicisti Maliqi për “Gazeta Blic”


