Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se është ndaluar për 48 orë Bujar Behrami, pasi e ka kërcënuar gazetarin e emisionit Kiks Kosova në televizionin e Klan Kosovës, Herolind Ademi.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari akuzohet për veprën penale “Kanosja”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari H.A., gjatë ushtrimit të detyrës së tij, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të identifikimit të dyshuarit dhe sigurimit të prezencës së të njëjtit në procedurën penale”.
“Veprimet e ndërmarra kanë rezultuar fillimisht me arrestimin e të dyshuarit nga Policia e Kosovës, ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Behrami u revoltua pasi u zbulua nga Kiksi se ai po i mashtronte klientët, duke iu shitur atyre në mënyrë ilegale kanalet kabllore të operatorëve vendorë, të cilët shpenzojnë miliona euro për të prodhuar atë përmbajtje.
Ai vazhdoi kërcënimet ndaj gazetarit, pasi kuptoi se është objekt i hulumtimit dhe ka rënë nën llupën e gazetarëve.
“Veç po të kallëzoj, tërheku prej meje, mos m’u përzij se nuk han mo bukë. Kjo është e fundit se t’kom lokalizu, e di saktë lokacionin tuaj.”
Kaq i revoltuar Behrami nuk ishte kur bënte pazar me gazetarin për t’ia shitur ofertat e platformave “Smart Buki” dhe “Tija”, të cilat shesin përmbajtje të vjedhura, duke fituar miliona euro në kurriz të të tjerëve.
Ai nuk ofronte asnjë kontratë ose kupon fiskal për ofertat që shiste, duke e pranuar edhe vetë se me këtë veprimtari, është duke e shkelur ligjin.
“Unë nuk thash është legale, është ilegale…”, ka thënë ndër të tjera Behrami.
Kërcënimet Behrami i vazhdoi edhe më tutje në telefonin personal të gazetarit dhe në telefonin e recepsionit të Klan Kosovës.
Të gjitha kërcënimet, Kiksi i ka denoncuar në Policinë e Kosovës, e cila ka hapur rast dhe ka nisur hetimet ndaj Behramit.


