Lajme

Spahiu: Qëndrimi i Haradinajt ndaj procesit të dialogut ka qenë konstruktiv!

11/08/2023 13:45
nga:Y I

Profesori i shkencave politike nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka komentuar deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhënë gjatë ditës së djeshme në lidhje me Draft-Statutin e Asociacionit.

Spahiu tha se qëndrimi i Haradinajt ndaj procesit të dialogut ka qenë konstruktiv dhe ka patur qasje pozitive.

“Qëndrimi i Haradinajt ndaj procesit të dialogut ka qenë përgjithësisht konstruktiv. Ndonjëherë ka qenë i matur ndonjëherë i pamatur por gjithsesi ka patur qasje pozitive ndaj dialogut. Ajo çfarë nuk do të pajtohesha me Haradinajn është që Kosova nuk guxon me ba asnjë veprim pa veprimin e ndërsjelltë të Serbisë” deklaroi Spahiu për “Gazeta Blic”.

Spahiu tha se Kosova nuk duhet të themelojë Asociacionin vetëm me garanci të BE-së dhe SHBA-ve.

“Nuk duhet të formojë Kosova Asociacionin vetëm me garanci të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Asociacionin duhet me themelu në të njëjtën ditë që flamuri i Kosovës ngritet në Beograd”

“Drafti mundet me qenë në përputhje me Kushtetutën por mundet me qenë i dëmshëm për Kosovën, mundet me qenë jo në përputhje me Kushtetutën por mos me qenë aq i dëmshëm” deklaroi profesori universitar për “Gazeta Blic”.

Nexhmedin Spahiu, Profesor

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se e ka lexuar dokumentin e plotë të draft-statutit të Asociacionit të propozuar nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Francës, Gjermanisë dhe BE-së.

Haradinaj tha ky dokument iu prezantua gjatë takimit me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai tha se ky draft bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e vendit, derisa shtoi se dokumenti është i pasur me shumë të drejta për komunitetin serb në Kosovë.

“Në dokument janë dhënë shumë mundësi dhe shumë lehtësi në qeverisje, në jetën qeverisëse të nivelit komunal, ato që veç i kanë komunat, por edhe një kooperim mes komunave, pra Asociacioni, janë dhënë po ashtu të drejta, ose përgjegjësi në shëndetësi, në edukim, me përkrahje të Serbisë siç ndodhë edhe sot, por me një dallim se do të jetë validitimi i tyre i dyanshëm ta zëmë e diplomave, ndërsa në të gjitha këto situate të parapara që Asociacioni i ka si rasti i asamblesë, kryetarit, nënkryetarit, bordet, administratën, financimin, për të gjitha i referohet pra në bazë të kushtetutës, ligjeve të Kosovës edhe atyre neneve që Kushtetuta jonë thirret në konventat ndërkombëtare për obligimet, ose të drejtat që ua njeh komuniteteve”, tha Haradinaj në Rubikon raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Haradinaj për draft-statutin e Asociacionit: Serbia ka arsye të ndihet fituese