Lajme

Ish deputeti i LDK-së: Drafti të publikohet kur të pranohet, Kurti tani t’i ftojë në takim liderët e opozitës dhe t’i informojë për atë

11/07/2023 21:44
nga:G B

Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka folur për mos publikimin e draft statutit të Asociacionit.

Ai thotë se rregullat caktohen nga ndërmjetësit dhe Kurti ka thënë se është kërkuar nga ta që të mos publikohet dokumenti.

“Së pari duhet sqaruar se rregullat në proceset negociatore i përcaktojnë ndërmjetësuesit dhe palët janë të obliguara t’i respektojnë. Kurti deklaroi në debatin parlamentar se i është kërkuar nga ndërmjetësuesit që mos të publikojë draftin”, thotë ai.

Rugova shton se drafti është në shqyrtim dhe s’është final, derisa shton se Kurti duhet t’i thërrasë në takim liderët opozitarë dhe t’i njoftojë për draftin.

“Ky draft është në shqyrtim e sipër nga palët dhe ende nuk është final. Konsideroj se Kurti duhet t’i thërras në një takim me dyer të mbyllura liderët opozitarë dhe t’i informojë për parimet bazë të këtij drafti dhe po ashtu t’i njoftojë në vazhdimësi për ecurinë e procesit negociator”, vlerëson ish deputeti për Gazeta Blic.

Ai shton se ai duhet të bëhet publik pasi të pranohet nga Kosova dhe të ketë debat parlamentar, derisa thotë se në këtë periudhë të gjithë lënë anash garën politike dhe bërë bashkë kundër Serbisë.

“Vlerësoj se pasi të pranohet nga pala e Kosovës, duhet të bëhet publik dhe të ketë debat parlamentar për këtë çështje. Unë besoj se të gjithë liderët opozitarë kanë pasur mundësi dhe kanale për ta parë këtë draft statut. Në këtë periudhë të rëndësishme në betejën finale politike me Serbinë duhet lënë anash garën politike dhe të jemi unik karshi Serbisë dhe ta mbrojmë dinjitetshëm interesin e shtetit dhe popullit tonë”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/

Haradinaj për draft-statutin e Asociacionit: Serbia ka arsye të ndihet fituese

“Jemi në terr informativ”/ Halimi: Qytetarët duan ta shohin draft statutin e Asociacionit – s’ka pse të jetë mister