Lajme

Haliti për sulmin në Banjskë: Besoj që Serbia do të ketë pasoja

11/07/2023 18:53
nga:Sh R

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se besoj që Serbia do të ketë pasoja nga NATO dhe BE për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Deputeti Haliti në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se vet fakti që organizatat evropiane dhe SHBA po e diskutojnë vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe jo vrasjen e tre sulmuesve serbë, tregon që për Serbinë do të ketë pasoja.

Sipas Halitit, hyrja e armatimit që u përdor në sulmin e 24 shtatorit nuk ka ndodhë atë natë por disa muaj më parë, për çka tha se edhe kishte paralajmëruar.

Ndërkohë Haliti shtoi se armatimi ishte fshehur në kishën e këtij fshati.

“Me Banjskën unë akoma nuk kam parë një raport të Qeverisë së Kosovës i cili bëhet publik ose jopublik sepse besoj që nuk ka nevojë me u bë publik. Mendoj që ne nuk kemi nevojë me kërku që ta dënojmë Serbinë, qysh dojmë me dënu Serbinë? Po besoj që në bazë të raporteve që dalin tani: një nga NATO dhe dy nga BE dhe raporti ynë mund të ndikoj që krahas dënimit që e ka bërë edhe BE, Parlamenti i Evropës, Këshilli i ministrave të BE-së, SHBA etj. dhe po vazhdojnë me diskutu jo vrasjen e atyre tre sulmuesve por vrasjen e policit të Kosovës, sepse ai është akt terrorist, unë besoj që do të ketë pasoja Serbia edhe nëse nuk e dorëzon Radojiqiqin. Nëse ky është ‘maja e Ajsbergut’ në aksion por unë e di që në krye të këtij aksioni është presidenti i Serbisë Vuçiq dhe Vulini-shefi i BIA-s dhe ushtrimet i kanë bërë në Rashkë. Dhe hyrja e armëve nuk është bërë atë natë, hyrja e armëve unë kam alarmuar 3-4 muaj më parë se po hyjnë armë në Kosovë përmes liqenit dhe janë stacionu edhe në depo edhe në kisha. Në fakt ata kur e kanë parë se çfarë ndodhi, i kanë detyruar me i nxjerrë armët nga kisha mos me i gjet policia se një praktikë e tillë e fshehjes së armëve brenda kishave ortodokse ka ndodhe dhe në Kroaci, edhe në Bosnjë, edhe në Kosovë. Madje edhe brenda varrezave ka pas armatim dhe janë vendos armatime”, deklaroi Haliti.

Ndërsa, i pyetur për mbrojtjen e afërt nga Policia e Kosovës për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haliti tha se nuk i di arsyet, por shtoi se Policia e Kosovës është e obliguar t’i ofroj siguri jo vetëm liderëve por secilit qytetar që është i rrezikuar.

“Nuk e di që ka marrë dikush kërcënime dhe nuk e di prej kujt ka marrë kërcënime. I dëgjova lajmet që z. Krasniqi dhe z.Abdixhiku kanë hyrë në mbrojtje të Policisë së Kosovës, Ramushi ka mbrojtje të përhershme, për këta të dy e mora vesh dhe nuk e di aspak as prej kujt janë të rrezikuar as çfarë rreziku i pret. Policia me siguri ka informacione, ka detyrë jo vetëm liderët por edhe një qytetar nëse ka rrezikshmëri, ndaj tij ta mbroj”, tha Haliti.