Kryesia e Shoqatës Sindikale të Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë në mbledhjen e saj të rregullt, të hënën, ka vendosur t’i drejtohet me një kërkesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), për përafrimin e pagave për punëtorët e administratës, me pagat e gjyqtarëve, respektivisht prokurorëve, në të kundërtën paralajmëron grevë.
Fillimisht, Sindikata ka përshëndetur vendimin e gjykatës për moszvogëlimin e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ka kritikuar KGJK-në dhe Qeverinë, për mospërmbushjen e zotimeve për përafrimin e pagave të punëtorëve të administratës karshi pagës se gjyqtarëve, respektivisht prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Andaj, përmes një kërkese, Sindikata kërkon që KGJK dhe KPK t’i përmbushin kërkesat e punëtorëve të administratës për përafrimin e pagave me pagat e gjyqtarëve përkatësisht prokurorëve.
“Të i drejtohet MPB-së, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të rishikojnë dhe të korrigjojnë koeficientet për Administratën në Sistemin e Drejtësisë, në bashkëpunim me KGJK-në, KPK-në dhe Shoqatat Sindikale të Sistemit të Drejtësisë, krejt kjo duke u bazuar në Aktgjykimin nr. ref.:AGJ 1583/20, të datës 9 korrik 2020, të Gjykatës Kushtetuese e cila ka konstatuar pavarësinë e administratës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në raport me Ekzekutivin”, thuhet në kërkesë.
Aty thuhet se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se nëpunësit civilë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial janë nëpunës civilë me status të veçantë për arsye se parimi i ndarjes së pushtetit është i garantuar me Kushtetutë.
“Kërkon nga MPB si hartuese e ligjit për paga si sponzorizuese ti ketë parasysh kërkesat e punëtoreve te administratës në Sistemin e Drejtësisë për një pagë të dinjitetshme dhe përafrimin e tyre me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ta eliminoj diskriminim që është bërë punëtorëve me dallim page deri në 5 fish në institucionin e njëjtë, pasi që synimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë që të eliminoj diskriminimin në paga përkatësisht të ulë dallimin e pagave nga 5 fishi i tyre”, thuhet më tej.
Sipas Sindikatës, moszbatimi i vendimit nga institucionet relevante dhe injorimi i kërkesave të stafit të administratës së gjykatave dhe prokurorive për një pagë të dinjitetshme dhe kushte më të mira të punës, do prodhojë pasoja negative si ulje e efektivitetit dhe efikasitetit të punës në sistemin e drejtësisë.
Kjo gjë, thuhet se do të ndikojë drejtpërsëdrejti në shërbime cilësore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës dhe në përformancën e dobët të sistemit, që është njëri prej kushteve themeltare për integrimin e Republikës së Kosovës drejtë BE-së.
Sindikata thotë se në asnjë rrethanë nuk janë dakord që me veprime sindikale t’i bëjnë dëm vendit, por që me përulësi kërkojnë realizimin e kërkesave për shkallshmërinë e pagave.
Propozimi i Sindikatës për shkallshmërinë e pagave, është në këtë mënyrë:
“Nëpunësit në administratën e gjykatave dhe prokurorive kanë të drejtë në pagë dhe shpërblim për punën e kryer, si dhe shtesa të përcaktuara me Ligjin e Pagave.
Niveli i pagës të nëpunësve në administratën e gjykatave dhe prokurorive rregullohet në këtë ligj, konform strukturës së Ligjit të pagave, dhe atë si në vijim:
Paga në kategorinë Drejtues i lartë të përcaktohet ekuivalente me pagën e gjyqtarit/ prokurorit në Krime të Rënda;
Paga në kategorinë Drejtues i mesëm 1 të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pakë se 80% në raport me pagën në kategorinë Drejtues i Lartë;
Paga në kategorinë Drejtues i mesëm 2 të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pakë se 95% në raport me pagën në kategorinë Drejtues i mesëm
Paga në kategorinë Drejtues i ulët të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pakë se 90% në raport me pagën në kategorinë Drejtues i mesëm;
Paga në kategorinë Bashkëpunëtor profesional të përcaktohet paga ekuivalente në masën jo më pakë se 85% në raport me pagën e gjyqtarit/prokurorit në Departamentin e Përgjithshëm;
Paga në kategorinë Profesional 1 të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pak se 90% në raport me pagën në kategorinë Drejtues i mesëm;
Paga në kategorinë Profesional 2 Të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pak se 90% në raport me pagën e kategorisë e Profesional 1;
Paga në kategorinë Profesional 3 të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pak se 90% në raport me pagën e kategorisë e Profesional 2;
Paga në kategorinë Nëpunës teknik dhe mbështetës 1 (Udhëheqës) të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pak se 90% në raport me pagën e kategorisë Profesional 2;
Paga në kategorinë Nëpunës teknik dhe mbështetës 2 të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pak se 90% në raport me pagën e kategorisë Nëpunës teknik dhe mbështetës 1 (Udhëheqës);
Paga në kategorinë Nëpunës teknik dhe mbështetës 3 të përcaktohet ekuivalente në masën jo më pak se 90% në raport me pagën e kategorisë Nëpunës teknik dhe mbështetës 2”.
Në fund, Sindikata kërkon që kërkesa e tyre të trajtohet me përgjegjësi dhe të ketë gjykim të arsyeshëm në trajtimin e kësaj kërkese, në të kundërtën paraljamëronë që greva e pezulluar më 18 mars 2022, të aktvizohet.


