Sporti

Donart Vitija: Jam i kënaqur me paraqitjet tona të fundit – është një dëshmi e punës së palodhur dhe shpirtit të ekipit

11/06/2023 20:11
nga:E K

Malisheva ka kthyer formën e mirë duke barazuar në ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit ’74 dhe duke fituar atë paraprake ndaj Prishtinës me rezultat 1-0.

Lojtari i kësaj skuadre, Donart Vitija ka komentuar mbi sezonin aktual të skuadrës së Malishevës duke thënë se është i kënaqur me paraqitjet e fundit të ekipit, shkruan GazetaBlic Sport.

“Jam i kënaqur me paraqitjet tona të fundit. Është një dëshmi e punës sonë të palodhur dhe shpirtit të ekipit. Duke parë ndeshjen e radhës, besoj në aftësitë tona dhe do të japim maksimumin për të vazhduar këtë seri rezultatesh pozitive. Çdo ndeshje është një sfidë e re dhe ne do t’i qasemi me të njëjtën vendosmëri dhe fokus që na ka ndihmuar në ndeshjet e mëparshme”, tha fillimisht ai.

Tutje Vitija komentoi edhe largimin e trajnerit, Senad Alirifa duke potencuar se lojtarët vlerësojnë kontributin që dha për klubin.

“Largimi i trajnerit Senad Alirifa ishte një ndryshim i madh për ekipin tonë, padyshim ne vlerësojmë kontributin e tij deri më tani. Ndryshimi është pjesë e futbollit dhe ne po i përshtatemi atij. Ne kemi një grup lojtarësh fleksibil dhe objektivi ynë mbetet i njëjtë, të performojmë më të mirën tonë dhe të arrijmë sukses. Ku krahas objektivave tona si skuadër, kemi patjetër edhe objektivin që të garojmë në nivel europian. Trajneri ynë i ri ka sjellë ide dhe strategji të reja në ekip dhe ne po punojmë shumë për të vazhduar të ndjekim qëllimet tona”, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.