Sporti

Aliu: Fitorja ndaj Prishtinës na motivon, tani duam pikët maksimale edhe ndaj Feronikelit, synimi ynë është të jemi në top tre skuadrat e Superligës

11/02/2023 19:18
nga:L J

Altin Aliu, futbollisti i Malishevës shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij ndaj Prishtinës në mesjavë.

FC Malisheva fitoi ndaj Prishtinës me rezultatin 1-0, duke arkëtuar tre pikë shumë me vlerë ndaj një kundërshtari mjaft të vështirë.

Malisheva pas një mini-krize, barazoi me Fushë Kosovën në vikend dhe fitoi me kryeqytetasit në mesjavë. Për rezultatet e dy ndeshjeve të fundit, Aliu thotë se ndihet i lumtur.

“Në dy ndeshjet e fundit kemi fituar katër pikë shumë të vlefshme ndaj dy kundërshtarëve të vështirë, e sidomos ndaj Prishtinës që kemi marrë pikë të plota. Fitorja ndaj Prishtinës ka qenë e vlefshme jo vetëm për kampionat – por edhe për ecurinë si vendas, ku prej inkuadrimit në Superligë nuk kemi humbur ndaj Prishtinës në ‘Liman Gegaj”, tha fillimisht Aliu për ‘GazetaBlic Sport’.

Tashmë, skuadra e Malishevës do të luajë në udhëtim ndaj Feronikelit, ku edhe aty synojnë fitoren, pasi sipas Aliut ekipi synon top treshen e tabelës.

“Ndaj Feronikelit udhëtojmë për tre pikë dhe të afrohemi sa më afër top 3-shes ku edhe e synojmë si klub”, vazhdoi Aliu.

Në fund, ai u shpreh i kënaqur edhe me formën individuale dhe potencoi se dëshiron të vazhdojë me këtë ritëm.

“Kam shënuar 4 gola dhe 2 asistime, duhet ta vazhdojë këtë ecuri dhe te shënoj që t’i ndihmojë ekipit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport