Drejtoresha e shoqatës Dawn Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”, ka folur në lidhje me veprimtarinë e kësaj shoqate që nga themelimi i saj.
Hajdini-Beqiri tha se për momentin funksionojnë me pesë qendra në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Prishtinë.
“Shoqata, Down Syndrome Kosova, është themeluar në vitin 2007 dhe në kuadër të veprimtarisë së shoqatës ne i kemi dy programe, programi i intervenimit dhe edukimit të hershëm si dhe programi për autonomi dhe aftësim profesional.Përveç programeve që Shoqata i ka brenda pesë qendrave të saj, Shoqata që nga themelimi deri më sot ka luajtur një rol të rëndësishëm në fushën e avokimit duke iniciuar iniciativa të cilat kanë kontribuar në përmirësimin e mirëqenies, jo vetëm të komunitetit të cilin ne e përfaqësojmë, por në përgjithësi të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”
Ajo tha se në nivel vendi ofrojnë shërbime për mbi 980 persona me sindromën down, me përjashtim të shërbimeve direkte.
“Sa i përket trajtimit, ne brenda pesë qendrave tona, ofrojmë shërbime direkte për mbi 300 persona me sindromën down përfshirë të gjitha grup-moshat. Ndërsa në nivel vendi, shoqata mbështet të gjitha nevojat apo kërkesat që paraqiten nga prindërit, vetë personat me sindromën dawn apo nga familjarët e tyre. Për momentin nuk i kemi të mbuluar dy regjione, atë të Gjakovës dhe Pejës. Ne në vazhdimësi, në mënyra të ndryshme mundohemi të jemi më pranë nevojave të komunitetit përfshirë trajnimet për mësimëdhënësit, edukatorët, në ato institucione ku ne i kemi fëmijët e kyçur qoftë në çerdhe, kopësht apo në shkolla, përfshirë ofrimin e trajnimeve për aftësim profesional. Para tre viteve ne kemi patur një bashkëpunim me qendrat e aftësimit profesional në të gjitha regjionet ku kemi mundësuar inkuadrimin e personave me sindromën dawn brenda qendrave të aftësimit profesional për t’i aftësuar ata për ndonjë profil të caktuar. Për momentin funksionojmë me pesë qendra regjionale, përfshirë regjionin e Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe në Prishtinë. Ne numërojmë në bazë të statistikave dhe në bazë të shërbimeve që ofrojmë, me përjashtim të shërbimeve direkte, numërojmë mbi 980 persona me sindromën down në nivel vendi” tha Hajdini-Beqiri për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


