Fituesi i madh në Ceremoninë e 67-të Topit të Artë të zhvilluar në Paris ishte Lionel Messi. Ylli argjentinas fitoi për herë të tetë trofeun më prestigjioz në aspektin personal, Topin e Artë duke lënë pas në këtë garë Erling Haaland (vendi i dytë) dhe Kylian Mbappe (vendi i tretë).
Triumfi në Botërorin e Katarit me Argjentinën ishte vendimtar teksa Lionel Messi udhëhoqi Albicelestet drejt titullit të tretë në histori, shkruan GazetaBlic Sport.
“Pleshti” fitoi kështu garën me konkurrentin e tij më të fortë Erling Haaland teksa norvegjezi ishte protagonisti kryesor në tre titujt e Manchester Cityt sezonin e kaluar, Premier League, Champions League dhe FA Cup.
Triumfi i Messit në këtë çmim prestigjioz rezultoi me komente të ndryshme, me pjesën më të madhe që shprehen adrmimin e tyre për argjentinasin, duke e lidhur këtë çmim me përfundimin e një epoke të tij të lavdishme në fushën e ‘blertë’.
‘GazetaBlic Sport’ ka kontatkuar gazetarët ndër më të njohur në vende të ndryshme, të cilët janë deklaruar në lidhje me ngarjen e jashtëzakonshme që u organizua mbrëmë.
Gazetari i mirënjohur italian, Adriano Del Monte, tha se Messi e meritonte absolutisht këtë çmim, për faktin se ai vazhdon të jetë lojtari më i mirë në botë.

“Sigurisht. Për mua Messi e meriton të fitojë, sepse ai është ende lojtari më i mirë në botë dhe kjo është ajo që përfaqëson ky çmim. Megjithatë, disa në Itali dhe jashtë vendit po pyesin, nëse Haaland do të kishte fituar Kupën e Botës dhe Messi tripletën, çfarë do të kishte ndodhur. Sipas meje, Messi ende fiton sepse asgjë nuk ndryshon, ai është ende lojtari më i mirë në botë. Nga këndvështrimi i Italisë, është e mrekullueshme të shohësh shumë lojtarë të Serie A në top 30, pas një sezoni të jashtëzakonshëm për ligën”, deklaroi Del Monte .
Triumfi i Leo Messit është pritur me admirim edhe në Turqi, atje ku ka një bazë shumë të madhe tifozësh të Messit. Sipas gazetares turke, Rezzan Yetis Yonetci, kishte një numër tifozësh të rinj atje që argumentuan se Haaland duhej ta kishte fituar çmimin, por që e përgjithshmja ishte me Messin.

“Mund të them se ka një bazë shumë të madhe tifozësh të Messit në Turqi. Kur u njoftua rreth një javë përpara se Messi do ta fitonte çmimin, nuk ishte shumë befasuese. Të gjithë prisnin që Messi ta fitonte këtë çmim pas fitores së Kupës së Botës. Për të qenë i sinqertë, nuk kam parë shumë njerëz që thonë se Messi nuk e meritonte çmimin. Disa tifozë të rinj të futbollit argumentuan se Haaland duhej ta kishte fituar çmimin, por fitorja e Messit u mirëprit me lumturi”, tha
Rezzan Yetis Yonetci.
Në Spanjë, gazetarja e njohur e Radio Televizionit të këtij vendi, Adriana Vazquez tha se kjo është mënyra më e mirë që Leo Messi ta mbyllë një edicion pas arritjes së qëllimit të madh, fitimin e Kupës së Botës.

“Triumfi i ‘Topit të Artë’ mund të jetë mënyra më e mirë për Leo për të mbyllur një rreth në të cilin më në fund arriti qëllimin e tij më të madh: Kupën e Botës. Rëndësia e Leos në kombëtaren e Argjentinës është aq e madhe sa ai ishte absolutisht thelbësor për të fituar trofeun. Ai është një lider, kështu që e çoi ekipin e tij në majë. Megjithatë, nëse mendojmë vetëm për rregullsinë gjatë sezonit, ndoshta Messi nuk është shembulli më i mirë… lojtarë të tjerë si Erling Haaland kanë treguar një nivel më të mirë“, tha gazetarja spanjolle Vasquez.
Zvicerani Lucas Werder tha se çmimi për Leo Messin ishte i merituar, për faktin se Messi fitoi titullin e Ligue 1 dhe Kupën e Botës.

“Që nga viti 2022, Topi i Artë nuk jepet më për vitin kalendarik, por për sezonin që i paraprin. Sivjet, pra, për sezonin 2022/2023. Në rastin e Messit, ai fitoi titullin e ligës me PSG-në dhe siguroi gjithsej 20 gola dhe 20 asistime në Ligue 1 dhe Champions League. Faktori kryesor vendimtar, megjithatë, është sigurisht Kupa e Botës e jashtëzakonshme me Argjentinën gjatë pushimeve dimërore. Mendoj se çmimi është i merituar, edhe nëse Haaland me siguri nuk do të kishte qenë zgjedhja e gabuar. Fillimisht mendova se çmimi ishte për vitin 2023, në të cilin rast Messi me siguri do të kishte qenë një zgjedhje e diskutueshme”, deklaroi Werder.
Në fund, gazetari nga Kroacia, Stjepan Mati tha se nuk është i kënaqur me kriteret e dhënies së çmimit, duke nënvizuar se në aspketin statistikor Erling Haaland e meritonte këtë çmim.

“Unë kam problem me kriteret e dhënies së atyre çmimeve. Nëse shikoni përmasat dhe rëndësinë e asaj që lojtari bëri atëherë, po, Messi e meriton për shkak të asaj që ka bërë për Argjentinën dhe sa e rëndësishme ishte për gjithë kombin dhe futbollin në përgjithësi që Argjentina të fitojë Kupën e Botës. Nëse shikoni vetëm statistikat dhe trofetë, atëherë është Erling Haaland pa asnjë dyshim për mua. Tre trofe, fitimi me Cityn në fund, kaq shumë gola...”, përfundoi Stjepan Mati.
/GazetaBlic Sport/


