Lajme

LVV thotë se Kosova ka kapacitet për parandalimin e një sulmi tjetër terrorist serb

10/28/2023 20:33
nga:Sh R

Ditëve të fundit nga Policia e Kosovës por edhe nga krerët shtetërorë janë shtuar paralajmërimet për një sulm të ri të ngjashëm me atë të 24 shtatorit. Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se ekziston dyshimi që sulmi i tillë të kryhet edhe në qytete tjera. Teksa deputeti nga Partia Demokratike akuzon kryeministrin Kurti për mosveprim në këto paralajmërime.

Një sulm i ngjashëm terrorist me atë të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit po paralajmërohet sërish.

Për këtë u deklaruan vetë nga Policia e Kosovës, por edhe krerët shtetërorë, në veçanti kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Anëtari i Komisionit për Siguri nga partia në pushtet, Enver Dugolli thotë se tashmë ekziston dyshimi i bazuar që ky sulm të kryhet edhe në qytete tjera me qëllim destabilizimin e vendit.

Megjithëkëtë, ky vlerëson se vendi mund t’ia dalë të parandalojë këtë organizim në mënyrë që mos të ketë viktima tjera.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha vlerëson se rreziku për veprime të këtij lloji është prezent.

Por, ai fajëson kryeministrin, Albin Kurti për mosveprim edhe më 24 shtator ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Për ngjarjen e 24 shtatorit, presidentja Vjosa Osmani foli edhe gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tha se Serbia kishte synim aneksimin e veriut.

Ndërkaq, që nga ajo kohë situata në veri mbetet e tensionuar, ku janë shtuar patrullimet e Njësisë Speciale të Kosovës, por edhe të pjesëtarëve të KFOR-it.