Lajme

Lideri holandez i së djathtës ekstreme sulmohet në Belgjikë

10/27/2023 23:28
nga:Mergim Rreci

Lideri i partisë së djathtë ekstreme në Holandë është sulmuar nga një person teksa po hynte në objektin e universitetit të Ghentit në Belgjikë.

Thierry Baudet lider i partisë Forumi për Demokraci do të ligjëronte në universitetin belg të enjten. Ai është goditur me ombrellë. Sulmuesi po e priste para objektit dhe e ka goditur vetëm një herë, para se të kapej nga pjesëtarët e sigurimit.

Sipas mediave belge, i dyshuari është 33-vjeçar me prejardhje nga Ukraina. Lideri i së djathtës ekstreme pas goditjes ka mbajtur ligjëratën në universitetin belg. Ka thënë se sulmi ishte i frikshëm, por se ishte me fat pasi ka mundur ta pësojë më keq.

Ai ka thënë se sulmi tregon se demonizimi i ideve ka arritur në nivele alarmante. I dyshuari është akuzuar për sulm dhe është intervistuar nga policia para se të lirohej të enjten mbrëma.