Lajme

Gjykimi për korrupsion ndaj tre zyrtarëve të Deçanit, dëshmitari thotë se s’ishte tejkaluar vija ndërtimore e objektit “Lika Trade”

10/27/2023 22:40
nga:N K

Pejë- Në gjykimin për korrupsion ndaj tre zyrtarëve komunal të Deçanit Ramë Melaj, Jashar Hulaj dhe Halil Tolaj, dëshmitari Shkelzen Shehu zyrtari përgjegjës për planifikim hapësinor dhe urbanizëm në këtë komunë, tha se vija e paraparë ndërtimore e objektit “Lika Trade”, nuk ishte tejkaluar dhe se është ndërtuar objekti nën etazhitete e kërkuara.

Dëshmitari Shehu tha se detyra e tij është ti kontrolloj kushtet ndërtimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se ka qenë njëri nga zyrtarët që ka lëshuar kushtet për “Lika Trade”, kushte që sipas tij, ishin të bazuara në planin rregullues urban dhe atë për njësinë e dytë për trajtimin urban për atë pjesë.

“Kushtet ndërtimore janë lëshuar me 2B+P+6, dhe leja ndërtimore është lëshuar me B+P+7. …kushtet nuk nënkuptojnë kurrnjëherë se me kushte mund të ndërtojë. Kushtet janë dokumenti i parë, që i paraprinë edhe shumë dokumenteve tjera, siç janë elaborati gjeomekanik, VNM-vlerësimi i ndikimit në mjedis, elaborati i mbrojtjes kundër zjarrit, dhe pëlqimet tjera infraksturore”, tha dëshmitari Shehu.

Lidhur me këto ai tha se të gjitha janë të parapara me ligjet përkatëse dhe sipas tij, nëse se dokumentet janë në përputhje me ligjin atëherë lëshohet leja ndërtimore.

Në rastin konkret dëshmitari Shehu tha se kushtet janë lëshuar me etazhitet 2b+P+6, dhe 2B+P+7 dhe arsye e ndryshimit të lejes së ndërtimit sipas tij ishte se elaborati gjeomekanik që ju ishte sjellë i ka plotësuar kriteret e aftësisë mbajtëse të tokës për caktimin e statikës së objektit.

Tutje, ai sqaroi planin rregullues urban, parcelat ku është lëshuar leja ndërtimore, si dhe kushtet dhe vijat ku janë lëshuar.

“Leja e ndërtimit është e lëshuar në formë drejtkëndëshi me indexin e shfrytëzimit të sipërfaqes parcelës sipas nromave teknike të ligjit 04L174”, tha dëshmitari Shehu.

Në fund dëshmitari Shehu tha se në lejen e ndërtimit “Lika Trade”, etazhiteti dhe sipërfaqja janë respektuar, dhe se në tërësi objekti është në parcelën e vet qoftë me parking edhe me pjesën tjetër.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, lidhur me një pjesë të dispozitivit të IV të aktakuzës, tha se është e nevojshme që sipas detyrës zyrtare të caktohet një ekspert gjeodet i pavarura pas pretendimeve të paraqitura dhe për të sqaruar kaushët lejen e ndërtimit në raport me planin rregullues.

Seanca u shty në afat të pacaktuar.

Zyrtarët e Komunës së Deçanit, Ramë Melaj, drejtori i Urbanizmit, Halil Tolaj, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit dhe Jashar Hulaj, shef i sektorit për Inspeksion, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 12 shtator të vitit të kaluar ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Pejës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj akuzohet se më 3 mars 2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e Drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja në shumë prej 170 mijë euro, për organizatën “Shtëpia Alpike”, me përfaqësues Jeton Berisha.

Sipas aktakuzës i pandehuri duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, lëshon vendimin nr. 04.nr.6082/1 për lejimin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në “Bjeshkët e Nemuna”, ashtu që i pandehuri me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Deçanit, lëshon lejen në fjalë me të cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale Izniq, në pasuri shoqërore, pronë kjo nën administrim të AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën menaxhon MMPHI-ja e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e Planit Hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

I pandehuri po ashtu akuzohet se kishte nxjerrë vendim për leje mjedisore komunale në bazë të kërkesës së përfaqësuesit të autorizuar të OJQ “Kosovo Montain Club”, Adriatik Gacaferri për lejimin e zbatimit të projekteve të tyre “Zhvillimi i shtegut të ngjitjes Sportive –Via Ferata Deçan”, si dhe “Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Gryken Deçanit”.

Sipas akuzës nxjerrë vendim për leje mjedisore që mundëson OJQ-së zbatimin e projektit në dy ngastra kadastrale- pasuri shoqërore nën administrim të AKP-së-në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonë së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Në dispozitivin e tretë i pandehuri ngarkohet se kishte keqpërdorur duke tejkaluar kompetencat e tij si Drejtor i Urbanizimit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja, në shumë prej 323.160 mijë euro për personin Bashkim Ahmetaj.

Sipas akuzës i pandehuri lëshon pëlqimin për aplikim dhe ndërtim të objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartëcekuri për ndërtimin në ngastrën kadastrale me nr.209/0 ZK Isniq, pronë e të njëjtit, me të cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të Planit Hapësinor të zonë së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Kurse në dispozitivin e katërt i pandehuri ngarkohet se ka lëshuar vendimin për ndërtimin e objektit afariso-banesor për subjektin ekonomik “Lika Trade”, SHPK, me pronar Jahir Likaj, duke qenë në dijeni se kushtet për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të datës 15 nëntor 2011 e lidhur me Komunës së Deçanit dhe investitorit “Gogaj AG”, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04. 167/1, i datës 28.01.2013 si dhe kushteve të lokacionit për ngastrën nr.1073/1 PSH e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik “Gogaj AG”, edhe përkundër kësaj i njëjti lëshon vendimin për leje ndërtimore me përfitues subjekti ekonomik “Lika Trade”, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afaristo-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë inventive prej 24 mijë e 134.17 euro.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj ngarkohen se më 11 shkurt 2019 e në vazhdimësi deri më sot, në bashkryerje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitoj personi tjetër.

Sipas akuzës i pandehuri Halil si drejtor i Inspeksionit në Deçan dhe i pandehuri Hulaj si shef i sektorit për Inspeksion në këtë komunë, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas detyrimeve ligjore, duke i mundësuar ndërtimin e tre kateve shtesë dhe katit tërheqës në objektin afariso-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndërtimore i lejohej ndërtimi me etazhitet B+P+3K. Përkundër që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të datës 5 mars 2021 dhe inspektimit të datës 11 qershor 2021, ku edhe janë vënë shiritat për mbyllje të vendpunimit, si ndërtime të kundërligjshme, e që të njëjtit sipas detyrës zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim duke i mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligjshme, duke përfunduar objektin afarit-banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së sipërfaqes rreth 2500m2.

Me këtë në bashkryerje ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.2 e lidhur me par.1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.