Lajme

Halimi publikon pamje të grevës së minatorëve të Trepçës: Kurti ende nuk i ka vizituar, e dhimbshme dhe e pafalshme

10/25/2023 22:24
nga:G B

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka publikuar një foto të grevës së minatorëve të Trepçës, ku deri tani 3 prej tyre janë dërguar në spital dhe njëri prej tyre është në gjendje të rënduar, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se me gjithë sakrificën njerëzore, kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar ende nuk i kanë vizituar grevistët, për t’i parë në sy dhe diskutuar me ta.

Ajo ka thënë se është tejet e dhimbshme, e pafalshme dhe e pakuptimtë që të na rikthehen këto pamje, të cilat, partisë në pushtet nuk i bëjnë përshtypje.

Postimi i saj i plotë:

Kjo foto nuk është nxjerrë nga arkivat e historisë, nga mbyllja e minatorëve të Trepçës kundër pushtimit serb, por e ditës së sotme.

Arsyeja për të hyrë në grevë urie është mospagesa me kohë e pagave, kushtet e rënda të punës; ndërsa, prej vitit 2019 e deri më sot, kontributet pensionale iu janë paguar vetëm për 10 muaj.

Ramadan Pajaziti është vetëm njëri prej këtyre minatorëve, i cili më ka shkruar duke më bërë të ditur se tashmë tre minatorë janë dërguar në spital dhe njëri prej tyre është në gjendje të rënduar.

Dhe me gjithë sakrificën njerëzore, kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar ende nuk i kanë vizituar grevistët, për t’i parë në sy dhe diskutuar me ta.

Është tejet e dhimbshme, e pafalshme dhe e pakuptimtë që të na rikthehen këto pamje, të cilat, partisë në pushtet nuk i bëjnë përshtypje.

As mirëqenia e arsimtarëve, as e policëve dhe as e minatorëve nuk janë në fokus të kësaj Qeverie. Vërtetë Kurti nuk e ka fare vëmendjen në qeverisje duke ngarendur pas propagandës.