Shtëpizat që kanë bartë ndjenjën e festës përbrenda kryeqytetit goxha herë, në ditën e 25-të të tetorit u bënë nikoqire të Panairit të Vjeshtës.
Si një nga projektet më të rëndësishme për vendin, panairin e produkteve bujqësore e agroindustriale, e quajti edhe kryetari i Odës Ekonomike në vend, deri sa u shpreh se “pjesëmarrja e kaq shumë kompanive dëshmon fuqinë integruese të këtij panairi dhe ky panair do ta shndërrojë Prishtinën në kryeqytet të rajonit”.
Mundësi të fuqizimit të ekonomisë në vend, po e quan edhe nënkryetari i kryeqytetit Alban Zogaj, deri sa u bën thirrje qytetarëve të jenë pjesë e panairit me prodhime vendore.
Kjo pasi sipas tij, ky është një rast i shkëlqyeshëm i promovimit për prodhimet vendore të cilat paraqesin trashëgiminë kulturore e artizanale të Kosovës.
Prodhimet nga toka e Kosovës, i prezantuan edhe pjesëmarrësit në panair, e që po e shohin si goxha mundësi për të sjellë më nga afër produktet që ata kultivojnë e përgatisin.


