Zëdhënësi i Këshillit Grevist të Minatorëve, Fevzi Ademi, ka thënë se gjendja shëndetësore e një minatori i cili pjesëmarrës në grevë është përkeqësuar.
Ademi bëri të ditur se dhjetëra minatorë grevistë kanë marrë trajtim nga mjekësia e punë në horizontin e dhjetë, të cilët gjenden atje duke grevuar.
“Çdo orë po shkon duke u përkeqësuar gjendja e minatorëve. Janë tri kërkesa të minatorëve. Është marrja e pagës nga data 6, maksimalisht deri më 10, dorëheqja e kryeshefit, sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës të përmirësohen”.
“Kanë pasur kokëdhimbje, marramendje por njëri nga ta është dërguar me emergjencë në spital dhe gjendja e tij nuk është stabile. Kërkesa në pesë muajt e fundit gjithherë ka qenë për paga, por sot është marrë vendimi që të futen në minierë. Janë të tri ndërrimet që po grevojnë”, tha Ademi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, Ademi tha se nga bordi drejtues nuk ka pasur asnjë interesim për sa i përket gjendjes shëndetësore të minatorëve grevistë, teksa paralajmëroi se ata do ta vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Nuk ka asnjë përgjigje dhe asnjë kontakt me bordin, s’ka pasur asnjë interesim. Arsyet për mos-ekzekutimin e pagave kanë qenë se iu duhet ende kohë dhe por ende s’kanë dalë në xhirollogaritë e punëtorëve”.
“Ne do të grevojmë deri në realizimin e kërkesave. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe çdo orë mund të përkeqësohet. Ne shpresojmë që qeveria të merr hapa konkret dhe t’i realizojë kërkesat e minatorëve, sepse në çdo moment gjendja e minatorëve mund të përkeqësohet”.


