Lajme

Gjykatë Speciale për sulmin në Banjskë/ Gashi i jep të drejtë Kurtit: SHBA dhe BE ta formojnë nëse duan drejtësi

10/24/2023 20:35
nga:N K

Kryeministri Albin Kurt, përmes një deklarate publike për sulmin terrorist në Banjskë, ka thënë se do të duhej të formohej një Gjykatë Speciale nga BE-ja dhe SHBA-të, raporton Gazeta Blic.

Rreth kësaj teme për Gazeta Blic ka folur avokati Tomë Gashi, i cili deklaroi se zgjidhja e vetme rreth këtij sulmi do të ishte formimi i speciales.

“Duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e këtij grupi të organizuar terrorist, së bashku me komandantin e tyre Radojqiç kanë ikur në Serbi, atëherë nëse SHBA dhe BE dëshirojnë të veprojnë drejtë, e duke pasur parasysh që këta nuk do të ekstradohen në Kosovë, atëherë më së miri do të ishte të formohet një Gjykatë Speciale për të gjykuar këtë organizatë kriminale-terroriste”, ka thënë Gashi.

Avokati theksoi se plani i këtij grupi ka qenë që të barrikadohen tek Lumi Ibër, por që këtë plan ua ndaloi Policia e Kosovës.

“Ata e kanë pasur plan që të barikadohen tek Lumi Ibër dhe me forcë të aneksojnë këtë pjesë të Kosovës, por që këto plane ua prishi polica jonë duke vrarë një numër të terroristëve dhe duke i arrestuar disa prej tyre”, tha ai.

Tutje, Gashi i dha të drejtë deklaratave të kryeministrit Kurti se duhet të formohet kjo gjykatë.

“Kryeministri Albin Kurti ka të drejtë, kur propozon formimin e një Gjykate Speciale për gjykimin e krimeve të grupit terrorist të organizuar, trajnuar e dërguar në Kosovë më 24 shtator, për të aneksuar pjesën veriore të shtetit tonë”, potencoi Tomë Gashi. /GazetaBlic/