Lajme

Zyrtari doganor shfrytëzon veturën zyrtare për t’i dërguar fëmijët në shkollë

10/24/2023 12:24
nga:N K

Prishtinë- Në kryeqytetin e Prishtinës, është parë që zyrtarët e Doganës së Kosovës përdorin automjetin zyrtar për dërgimin e fëmijëve në shkollë.

Një situatë e tillë është parë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Don Bosko”.

Rasti i tillë ku automjeti i Doganës përdoret nga zyrtarë për t’i dërguar fëmijët në këtë shkollë, është i përditshëm.

Në përgjigjen e Doganës së Kosovës, theksohet se kanë një Udhëzim Administrativ lidhur me mënyrën e përdorimit të veturave zyrtare dhe se sipas tyre çdo devijim nga ky udhëzim prej zyrtarëve të Doganës paraqet shkelje dhe si pasojë shqiptohet masë disiplinore.

“Po ju bashkëngjisë udhëzimin tone te brendshme qe parasheh përdorimin e veturave, çdo devijim nga ky udhëzim paraqet shkelje dhe si rezultat pasoja disiplinore. Gjeni në bashkëngjitje UA që e rregullon çështjen e shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes së automjeteve zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Doganës dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Shikuar nga ky Udhëzim, nuk del që zyrtarët e Doganës të çfarëdo kategorie qofshin ata, të kenë të drejtën e përdorimit të automjeteve që i posedon Dogana, që të njëjtat të përdoren edhe për qëllime personale/familjare.

Kujtojmë se Dogana e Kosovës është institucion i themeluar në vitin 1999 me qëllim të ofrimit të njëtrajtshëm të rregullave doganore dhe dispozitave tjera të aplikueshme për mallra. Si qëllim i saj është mbrojtja e shtetit, ekonomisë dhe qytetarëve, si dhe luftimi i aktiviteteve kriminale.

Gjithashtu, si institucion Dogana proklamon raportimin e rasteve të korrupsionit dhe kontrabandës.