Trajneri kosovar, Senad Alirifa nuk do të jetë më në krye të Malishevës.
Alirifa në një intervistë ekskluzive për “GazetaBlic Sport” konfirmoi se ka dhënë dorëheqje nga i pari i klubit të Malishevës pas situatës në të cilën është klubi.
“Realisht unë kam dhënë dorëheqjen si trajner i Malishevës. Presidenti kishte insistimin që unë të vazhdoja, por vendosa që për shkak të situatës brenda klubit të jap dorëheqje. Kam pasur kontratë, por nuk mendova që është e rrugës të vazhdoja më tutje”, tha Senad Alirifa për “GazetaBlic Sport“.
Malisheva pritet që nesër të dalë me komunikatë zyrtare për largimin e Senad Alirifës.
Kujtojmë që Malisheva pozicionohet në vendin e pestë në tabelën e Superligës, kurse xhiron e fundit pësoi humbje nga Dukagjini me rezultat 3-4.
/GazetaBlic Sport