Nëntë javë, nëntë trajnerë të ndryshuar, një fazë e parë për rekord në Kategorinë Superiore, me një mesatare prej 1 trajner për çdo javë. I fundit i larguar ishte Di Biagio, që për hir të së vërtetës, ishte i vetmi i dorëhequr menjëherë pas humbjes së Dinamos.
Në fakt, historia e ndryshimeve të trajnerëve filloi pikërisht te blutë, teksa në gusht, para fillimit të kampionatit Di Biagio mori vendin Dritan Mehmetit dhe ky i fundit rikthehet në detyrë. Nga 10 ekipe të Superiores, 6 kanë ndryshuar trajnerë, ndërsa 4 prej tyre jo.
Laçi ka ndërruar 3 teknikë, duke mbajtur rekordin, pasi i zhvillimet ndodhën në 6 javë. Ekipet që nuk kanë bërë lëvizje në pankina janë Egnatia e vendit të parë dhe tre skuadrat e mesit të renditjes, Vllaznia, Skënderbeu dhe Erzeni.
Në fakt, Egnatia, Skënderbeu dhe Erzeni i kanë trajnerët që nga sezoni i kaluar dhe pavarësisht oshilacioneve, u kanë besuar të njëjtit staf teknik. Faza e parë solli edhe dy fenomene të reja te trajnerët në dy skuadrat e kryeqytetit. Për herë të parë Tirana nuk shkarkoi, por pezulloi trajnerin.
Ndërsa Partizani bëri merkato me Zekiç, duke e shitur për 100 mijë euro, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në futbollin shqiptar. Me këtë intensitet largimesh të trajnerëve, me shumë mundësi do të jetë një sezon rekord sa i përket këtij fenomeni.


