Lajme

Sadiku për vizitën e pesë diplomatëve: Pritet të sjellin tri kërkesa të qarta për Kosovën/ Duhet të konfirmohen me ‘Po ose Jo’

10/20/2023 18:25
nga:Y I

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Arbnor Sadiku, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”, ka folur në lidhje me vizitën e pesë diplomatëve që nesër pritet të vijnë në Prishtinë.

Sadiku tha se diplomatët në fjalë pritet të sjellin tre kërkesa të qarta për Kosovën.

Ai tha se kjo pako e kërkesave pritet të konfirmohet nga Qeveria e Kosovës me po ose jo, sipas kërkesës diplomatike “merre ose lëre”

“Porosia do jetë e qartë ata do të bëjnë kerkesë për Kosovën: 1. Ulje e retorikës së urrejtjes e cila dërgon në tensionim të situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, 2.Deeskalim i situatës në Veriun e Kosovës me rrugën politike më të shkurt  dhe e treta krijimin e Statatutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës”

“Kjo pako e kërkesave duhet të konfirmohet nga Qeveria e Kosovës me ‘Po ose Jo’, sipas kërkesës diplomatike ‘merre ose lere'” deklaroi Sadiku për “Gazeta Blic”.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak bashkë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara Gabriel Escobar si dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të qëndrojnë të shtunën në Prishtinë dhe në Beograd.

Vizita e tyre vjen pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ditë më parë nga Tirana deklaroi se është përgjegjësi e presidentit serb Vuçiq që të dënojë aktin e 24 shtatorit dhe se kjo do të kontribonte në rivendosjen e qetësisë në kufi.

“Hapat e ardhshëm dhe çfarë presim nga autoritetet e Kosovës dhe ato serbe janë të thjeshta: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme; pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës. Kushtet duhet të plotësohen në këtë radhitje, në tërësi dhe plotësisht”, tha presidenti Macron, i cili nxiti shumë debate në një deklaratë me të cilën paralajmëroi Kosovën për mbajtjen e premtimeve lidhur me shtensionimin e situatës me Serbinë.“Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, tha presidenti francez në Tiranë raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

 

Spahiu: Kosova nuk duhet t’i ikë tavolinës së bisedimeve, nuk jemi ne që i përcaktojmë ‘rregullat e lojës’

Kurti në prag të vizitës së diplomatëve: Nuk mund të kemi normalizim pa siguri

BE-ja dhe SHBA-ja pritet të shtojnë trysninë ndaj Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve