Lajme

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë Boszik, diskutohet edhe siguria

10/19/2023 18:18
nga:Genita C

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, Béla Boszik, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Marrëdhëniet e mira ndërmjet të të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani datojnë jo vetëm nga vitet e 90-ta, në kohën e presidentit Rugova, porse edhe nga përpjekjet e përbashkëta historike, thuhet në komunikatën e presidencës.

Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë.

“Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të 24 shtatorit duhet të vihen para përgjegjësisë. Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës”.

U diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimi ndërshtetëror, posaçërisht në fushën e shkëmbimit të studentëve dhe u tha se ka potencial për fuqizim të marrëdhëniet ekonomike, vijon komunikata.

Ndërkaq ambasadori Boszik, u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.