Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi.
Lidhur me këtë në një prononcim për Gazeta Blic ka folur Ardian Kastrati nga PDK-ja, ku ka thënë se Kosova nuk mund të gjejë zgjidhje pa koordinim me Bashkimin Evropian dhe sipas tij mbetet të shihet se a është Kurti i vetëdijshëm për këtë.
“Prej ardhjes së Kurtit në pushtet, dinamika dhe qëllimi i dialogut si platformë ka ndryshuar. Dikur ishte platformë që shihej si mundësi për njohje e marrëveshje ligjerisht të obligueshme, ndërsa me Kurtin ky mekanizëm kryesisht u përdor për me i diskutu çështjet e sigurisë në veri”, ka thënë ai.
Sipas Kastrati,t Kurti duhet të jetë shumë i kujdesshëm ndaj Serbisë.
“Çfare do të përmbaj drafti më 21 tetor nuk e dijmë, por është e qartë që pushteti i nervave ka filluar t’i lëshoj partnerët tanë ndërkombëtar. Kurti duhet të jetë shumë i kujdeshëm mos me ra në kurthin e Serbisë, duhet ngushtë të koordinohet me faktorët ndërkombëtar por pa e dëmtuar interesin e Kosovës siç ka bërë deri tash”, tha ai.
Ritheksoi se në këtë drejtim nuk ka shumë shpresa nga Kurti.
“Fatkeqësisht, në këtë aspekt nuk kam asnjë shpresë në Kurtin. Ai ka dëshmu që e ka vështirë ta braktis folkloristin e së djeshmës për shtetarin e të sotshmes. Pushteti që ai përfaqeson është vet dështimi historik”, tha Kastrati.
Ndër të tjera deputeti i PDK-së, tha se takimi i 21 tetorit mund të jetë në dobi të Kosovës nëse shfrytëzohet nga kryeministri Kurti.
“21 tetori mundet me qenë i sukseshëm nëse Kurti dinë me shfrytëzu duke vendos interesin e shtetit para egos së tij. Në të kundërtën ditët në vijim mund të jenë fatale për Kosoven”, tha Ardian Kastrati për Gazeta Blic.


