Një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron për mundësinë e pezullimit të vizave për Kosovën ngjalli reagime të shumta.
Fillimisht u raportua se Franca ka pezulluar vizat për Kosovën, më pas u sqarua se nuk është bërë një gjë e tillë por që vizat për Francën janë çështje e hapur.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, thotë për Gazeta Blic se është i shqetësuar që për çdo vendim politik të Kosovës po kërcënohemi me pezullim të lëvizjes së lirë.
Sipas tij, neve si shqiptarë po na mbahet peng e ardhmja nga armiqtë e vjetër.
“Jam i shqetësuar që për secilin veprim politik të shtetit tonë, po kërcënohemi me “pezullim” të lëvizjes së lirë. Aq më pak kur argumentet i tij ishin numri i azilantëve shqiptarë dhe reformimi i BE-së për të mos liberalizuar vizat para anëtarësimit. Neve si shqiptarë po na mbahet peng e ardhmja nga armiqtë e vjetër”, shprehet ai.
Agusholli vlerëson se nuk mund të bashkohemi në rishkrim të historisë që të përputhet me kënaqësinë e interesin e të tjerëve.
“Historia është flaka që është e destinuar të ndriçojë të kaluarën, të na mbrojë nga përsëritja e gabimeve të ditëve të tjera. Ne nuk mund të bashkohemi në rishkrimin e historisë, e ta bëjmë të përputhet me kënaqësinë e interesin e të tjerëve”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/


