Lajme

Pesëshja e madhe në Kosovë e Serbi/ Deputeti i VV-së: Fokusi te ndryshimi i qasjes në dialog

10/18/2023 13:54
nga:G B

Grupi Pesëshja e madhe do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë me 21 tetor.

Bashkë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do të vijnë përfaqësues nga SHBA, Gjermania, Franca dhe Italia.

Lidhur me vizitën e tyre, qëllimin dhe pritjet, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Ai e sheh si hap të duhur diplomatik vizitën e tyre, për paqen në rajon dhe zgjidhje të çështjeve të hapura mes Kosovës e Serbisë.

Deputeti thotë se pret qartësim të cenimit të territorit të Kosovës nga akti terrorist dhe mbështetja e Serbisë ndaj tij, dhe të përgatiten sanksione për Serbinë.

“Ardhja e pesëshes diplomatike është një hap i duhur diplomatik në drejtim të paqetimit të rajonit dhe zgjidhjes përfundimtare të çështjeve të hapura ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ajo çka presim është adresimi i qartë i cenimit të territorit të Kosovës, aktit terrorist dhe mbështetjes shtetërore të këtyre grupeve kriminale e terroriste. Presim që ky grup të kërkojë përgjegjësi nga autoritetet në Beograd dhe të përgatisin terrenin për sanksionet ndaj Serbisë”, shprehet ai.

Batusha thekson se në dialog duhet të rikthehet atmosfera e mirëbesimit dhe trajtimi i barabartë, pasi s’mund të ketë dialog normal derisa Serbia tenton imponimin e mendimeve të saj me kërcënime terroriste dhe ushtarake.

“Në dialog duhet të rikthehet atmosfera e mirëbesimit, qasja e trajtimi i barabartë dhe mbi gjitha të bazohet në primet evropiane. Kjo është e mundur vetëm atëherë kur Kosovës i hiqen masat, ndërsa Serbisë i vendosen sanksionet për sulmin terrorist dhe kërcënimin për pushtim përmes ushtrisë së saj. Nuk mund të ketë dialog normal përderisa pala tjetër në tavolinën e bisedimeve tenton të imponojë mendimet e saj përmes kërcënimeve terroriste dhe ushtarake”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, deputeti i VV-së s’mund të ketë dialog të balancuar pa njohje de facto të Kosovës.

“Për më tepër, pa njohje të paktën de facto të Kosovës, përmes njohjes së dokumenteve dhe vulave, nuk mund të pretendohet që dialogu është i balancuar apo që Serbia e ka seriozisht zgjidhjen përfundimtare të çështjeve me Republikën e Kosovës”, shton Batusha.

Deputeti është i mendimit se thelbi i vizitës është ndërrimi i qasjes së gjertanishme ndaj trajtimit të situatës reale në këtë pjesë të Evropës.

“Ndoshta kjo është mundësia e fundit, por ndoshta edhe vetë thelbi i kësaj vizite, te ndërrimi i qasjes së gjertanishme ndaj trajtimit të situatës reale në këtë pjesë të Evropës”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/