Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në lidhje me deklaratën e fundit që e kishte dhënë për çështjen e Asociacionit, raporton GazetaBlic.
Osmani tha se ka kërkuar koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse siç e thotë ajo, ka pajtim për katër parime.
“Ajo çfarë kam thënë unë nuk ka qenë asgjë e re. Më 2 maj kur ishte bashkimi në Bruksel, unë pata bërë deklaratë publike që kam pritur që Kosova ta ketë draftin e saj dhe jo të lejojë që drafti i të ashtuquajturit ekipmenaxhues serb, që në fakt është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e diskutimeve”, tha Osmani.
“Arsyeja pse unë e shoh rolin e SHBA-ve kyç në këtë proces është se me SHBA-të ne kemi koordinim të plotë për katër parimet: Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2015, letra e Mogherinit dhe op/ed amerikan nga Escobar”, shtoi ajo.
“Me BE-në ne akoma nuk kemi një dakordim të tillë, po flas për ndërmjetësitë jo për shtetet veç e veç. Propozimi im nuk është që ne ta harrojmë çështjen e sigurisë, por përderisa ne kërkojmë mbështetje nga aleatët tanë për t’u mbrojtur nga Serbia, ne duhet të tregojmë besim në raport me ta, veçanti me SHBA-të”, tha Osmani në Tempus.


