Lajme

Deklarata e Macron/ Flasin nga Ministria e Jashtme: U interpretua gabimisht, për vizat vendos BE – s’ka procedurë për pezullim

10/17/2023 16:03
nga:G B

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka komentuar për Gazeta Blic deklaratën e presidentit francez Macron, për liberalizimin e vizave.

Ministria ka thënë se nuk ka pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave dhe se deklarata e Macron është interpretuar gabimisht.

“Sa i përket pyetjeve tuaja, lidhur me deklaratën e bërë sot nga Presidenti i Francës, z. Macron, e cila duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht, ju njoftojmë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave”, thuhet në përgjigjen e MPDJ për Gazeta Blic.

Po ashtu, ministria ka shtuar se vendimet për viza merren në nivel të BE-së dhe jo shteteve anëtare dhe se s’kanë informacion që është kërkuar apo ka nisur procedurë për shtyrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave. Nuk kemi asnjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës./Gazeta Blic/