Sporti

Kur pritet të zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit? Gazetari izraelit jep detajet e fundit

10/17/2023 09:42
nga:Mergim Rreci

Ndeshja e shtyrë mes Kosovës dhe Izraelit pritet të zhvillohet në muajin nëntor.

Kjo ndeshje ishte planifikuar që të luhet të dielën që shkoi, por për shkak të luftës në të cilën është përfshirë Izraeli, ndeshja u vendos që të shtyhet.

Gazetari i mirënjohur i sportit nga Izraeli, Liav Nachmani tha për ‘GazetaBlic Sport’ që kjo ndeshje pritet të zhvillohet në muajin nëntor, gjithmonë nëse situata atje gjen pak qetësi.

Ai tha se momentalisht askush nuk po mendon atje për një ndeshje futbollit, pavarësisht se Izraeli vazhdon të jetë në garë për një vend që dërgon në ‘Euro 2024’.

“Ne nuk po mendojmë momentalisht për ndeshjen ndaj Kosovës, ashtu siç nuk po mendojmë për asnjë ndeshje tjetër. Mendoj se ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Kosovës mund të zhvillohen në mes të muajit nëntor, por që situata momentale thotë se gjërat mund të ndryshojnë. Duhet të shohim se si do të rrjedhin gjërat”, tha Nachmani për ‘GazetaBlic Sport’.

/GazetaBlic Sport/